Prokurori Arjan Ndoja ka dhënë sot dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, për atentatin që u bë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” në Durrës. Në makinë bashkë me të dy vite më parë ishte Landi Muharremi dhe shoferi Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vdekur.
Në seancën e sotme, prokurori Ndoja ka qenë vetë para trupës gjykuese për të dëshmuar dhe ka thënë se shënjestra ka qenë pikërisht ai. Sipas Ndojës plumbat janë qëlluar nga ana ku ai ishte ulur si pasagjer. Për të vërtetuar këtë ai ka treguar dhe fotot e makinës, ku kanë mbetur shenjat e plumbave.
Prokurori ka theksuar se para se t’i bëhej atentat nuk ka pasur asnjë shqetësim, përveç deklaratave publike të bëra nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Braçe.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
