Avokado është një ushqim shumë i shëndetshëm për fëmijën dhe jo vetëm. Ky frut konsiderohet si “mbreti” në piramidën ushqimore.
Por si mund ta përgatisim avokadon për fëmijën tonë?
Sallatë frutash me avokado. Këtë mund ta përgatisni duke përzier: ½ avokado, ½ banane, ½ dardhë e pjekur mirë, disa lugë kos të bardhë. I kaloni frutat në frulator dhe më pas shtoni kosin (nga muaji i 8-të).
Avokado dhe mango. Pasi i keni shtypur frutat mund të shtoni pak kos, qumësht ose lëng frutash për ta bërë purenë më kremoze. Mund të përdoret nga muaji i 8-të.
Mollë dhe avokado. I zieni copat e mollës dhe më pas i shtypni me pirun. E përzieni me avokadon derisa të formohet një pure kremoze (nga muaji i 5-të).
Avokado, fasule të bardha, gjoks pule dhe qumësht. Pasi keni zier fasulet me mishin e pulës i kaloni në frulator dhe më pas shtoni në të edhe avokadon. E rregulloni me pak qumësht (nga muaji i 8-të).
Lulelakër, oriz dhe avokado. ½ filxhan caji me oriz të zier, e përzieni në frulator me lulelakrën e zier si edhe me copat e avokados. Nëse ka nevojë për hollim shtoni pak nga lëngu i zierjes së orizit ose lulelakrës. E rregulloni me pak vaj ulliri (nga muaji i 7-të).
Patate e ëmbël dhe avokado. E piqni një kokërr patate të ëmbël për rreth 1 orë dhe më pas e lini të ftohet. E përzieni me avokadon dhe e shtypni derisa të bëhet pure. Patatja duhet të përdoret pa lëkurë (nga muaji i 6-të).