Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar pasditen e kësaj të mërkure në lidhje me situatën e krijuar pas prishjes së disa banesave në zonën e 5 Majit në Tiranë.
Përmes një deklarate për mediat avokati i popullit bën me dije se kanë qenë vetë banorët që e kanë njohur me situatën që ndodhte në lagjen e tyre përsa i përket shembjes së banesave dhe kanë theksuar se kanë pas datën për lirimin e banesave por nuk dinë ku do të strehon.
“Nëpërmjet korrespondencës me Bashkinë Tiranë në kuadër të këtij hetimi u kërkua informacion i detajuar mbi arsyet se përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve të këtyre ndërtesave/objekteve të ndodhura në njësitë administrative nr.4 dhe nr.8 Bashkia Tiranë, është mjeti i vetëm për realizimin e qëllimit publik përkatës në këtë rast për zhvillim të zonës.
Interesimit të Institucionit të Avokatit të Popullit Bashkia Tirane dhe strukturat përkatës nuk i është përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm i pa argumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse.
Teksa Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët”, thuhet në deklaratë.
