Avokat Spartak Ngjela komenton lëvizjet në qeveri dhe thotë se kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë 7 ministra për dy arsye.
Sipas Ngjelës, protesta e studentëve është një prej arsyeve, por edhe krijimi i Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion.
Në emisionin “45 minuta” në Report TV, Ngjela tha se gati 50 për qind e ministrave të shkarkuar do të jenë objekt i SPAK-ut.
“Protesta e studentëve, por edhe SPAK-u. Nuk besoj që do të jenë të gjithë këta ministra të akuzuar, por mbi 50% e tyre po, do të jenë objekt i SPAK-ut. Arsyeja që i ka eliminuar ka qenë kjo, por me këtë rast iu bënte edhe studentëve një lëshim, që nuk e përfillën.
Ajo që duhet parë me vëmendje është problemi që në rast se ti si kryeministër heq gjysmën e qeverisë, ti nuk je mbret, këta e dinë veten monark, nuk e njohin parlamentarizmin perëndimor. Kjo nuk është qeveri e një perandori që heq dhe vendos kë të dojë.
Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të krijonte qeverinë tjetër. Rama ka hequr ministrat më të rëndësishëm dhe e konsideron si shëndoshje, jo krizë” u shpreh Ngjela.