Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali, ku u trajtuan disa prej sfidave kryesore ligjore dhe administrative që hasin bashkatdhetarët në këtë vend.
Balla theksoi se do të punohet së bashku për t’i dhënë zgjidhje shumë problematikave që lidhen me njohje dokumentesh, lehtësim procedurash konsullore etj. Sipas tij, po punohet gjithashtu dhe për njohjen e certifikatave me vulë digjitale e-Albania nga Ministria e Brendshme italiane.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mundësia për gjenerimin e vërtetimeve të pensioneve për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, nëpërmjet e-Albania, dhe nevoja për të përmirësuar procesin e regjistrimit të vendimeve të zgjidhjes së martesës nga zyrat e gjendjes civile shqiptare.
U trajtua edhe mundësia e zgjerimit të prokurave për veprime më komplekse juridike përmes shërbimeve konsullore, lehtësimi i regjistrimit të mbiemrave të dyfishtë për fëmijët e lindur jashtë vendit, si dhe mbrojtja e të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali, për të cilët u diskutuan masat për riatdhesim.
Balla i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë për angazhimin e qeverisë në trajtimin e këtyre çështjeve dhe premtoi mbështetje për të lehtësuar proceset administrative e për të siguruar një trajtim të drejtë dhe të dinjitetshëm për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.