Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur thirrjes së kryeministri Edi Rama, i cili e ftoi sot që të ulen dhe të bëhen bashkë për të përballuar situatën e rëndë, në të cilën po kalon Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit. Shef i opozitës tha se PD është pranë njerëzve dhe po bën maksimalisht përpjekjet për t;iu ardhur në ndihmë të prekurve. Sipas Bashës, sot është koha për solidaritet dhe jo për politikë e propagandë.
“Këto ditë, që kanë qënë ditë të tmerrshme për shqiptarët dhe sot Durrësi ka përcjellë shumë viktima, duke përfshirë dhe 8 viktimat e familjes Lala, nuk kanë qënë ditë për t’u marrë me analizën dhe përgjegjësitë. Natyrisht, ka një ditë, ka një kohë ku do merremi edhe me përgjegjësitë dhe me analizën se çfarë u bë, çfarë mund të bëhej më mirë dhe çfarë duhet bërë më mirë. Tani, fokusi ynë është si t’i ndihmojmë këta njerëz. Nuk bëhet politikë. A mund të bëhet politikë me këta njerëz?! Këta janë pa strehë sonte, janë pa ushqim, fëmijët i kanë rrugëve, vetë janë rrugëve. Prandaj, prioriteti im, prioriteti i gjithë opozitës është të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Ky duhet të jetë prioriteti i çdokujt. Jo protagonizmi, jo propaganda dhe as manovrat politike”, theksoi Basha.
