Kryedemokrati Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama, lidhur me akuzat e tij për luftën e Kosovës. Basha ka rikthyer vëmendjen tek pandemia, i cilësuar sulmet e Ramës, gënjeshtra dhe akuza politike.
“Nëse Rama do kishte investuar kohën e tij sot, në shërbim të qytetarëve në vend që të cicëronte gënjeshtra kundër meje, mbase do të kishte arritur të shpëtonte disa nga 8 qytetarët që humbën jetën nga Covid-19 sot. Ndërsa vendi po thyen rekordet e infeksioneve, Rama merret vetëm me sulme politike dhe gënjeshtra. Bashkë do të sjellim shpresë të re për Shqipërine me një qeveri që do të punojë vetëm për njerëzit!,”-shkruan Basha.
Por cili ka qënë roli i Lulzim Bashës gjatë luftës së Kosovës? Numri një i PD-së akuzohet se ka ndihmuar në përpilimin e raporteve famëkeqe që kanë çuar në prangosjen dhe akuzat për krime lufte të kuptolës drejtuese të UÇK-së. Madje maxhoranca ka shkuar deri aty sa ka “premtuar” në ngritjen e një komisioni hetimor për Bashën. Partia Demokratike ka reaguar për herë të parë lidhur me akuzat e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka këmbëngulur që kryedemokrati të dalë dhe t’i adresojë vetë akuzat e kreut të qeverisë.