Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, programin e saposhpallur për shëndetësinë e ndau me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistit dhe me pacientë gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë.
Basha u sqaroi farmacistëve dhe pacientëve detajet e programit “Shqipëria fiton” dhe u angazhua se do të ndryshojë situatën e rëndë të tregut të ilaçeve në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve në këtë drejtim. Ai iu detajoi atyre pikat kryesore të planit.
“Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave e cila sjell barna të pa certifikuara jo në funksion të shëndetit të njerëzve por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish.
Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të cilësisë dhe standardeve të vendeve europiane”, – tha Basha.
Në qëndër të programit sipas Bashës do të jetë pacienti. “E dyta ka të bëjë me pacientin. Sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrë këtë mjekim”, – sqaroi Basha pacientët.
