Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha duke folur në seancën plenare e quajti parlamentin kukull të kapur nga krimi ku sillen vetëm ligje zhvatjeje.
“Vendi është në krizë totale dhe kjo sallë nuk ka asnjë lidhje me hallet e përditshme të shqiptarëve. Të gjitha ligjet që sjellin këtu janë ligje zhvatje. Çdo ditë ka lajme tragjike dhe pacipësisë për të cilën shprehet ministri i Brendshëm për ngjarjen tragjike në Kavajë, dëshpërimi që i çon njerëzit në vetëflijim si ngjarja tragjike në Shijak. Janë trefishuar rastet, vendi është në krizë depresioni e jo thjesht sociale, ekonomike. Të gjitha simptomat e një krize totale që ka mbërthyer vendin”, tha Basha.
Një qeveri dhe një Parlament që është ulur në këto karrige me votën dhe ndihmën e krimit nujk ka lidhje me hallet e qytetarëve, tha më tej ai.
Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme që në këtë sallë mos të ketë asjnë zyrtar që vjen si provë e impaktit të krimit vijoi më tej kreu i PD-së.
“Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajduti që është ekspozuar si njeriu që është ulur në atë karrige me votën e krimit. Kjo është një faturë e rëndë për vendin dhe shqiptarët. Nuk kemi pse ta vazhdojmë ta paguajmë këtë faturë”, tha Basha.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në seancë, pasi sot përfundon vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.
