Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama si kokën e aferës së inceneratorëve. Nga takimi me demokratët në degën 4, Basha tha se arsyeja se pse ai vazhdon të shijë e të grijë, është sepse ka asgjësuar të vetmin instrument të llogaridhënies politike, që është vota.
Sipas tij, dy rrugë kemi; opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike.
“Ato para pastaj, i ndajnë me katër-pesë veta. Sa vite kemi që e denoncojmë ne këtë? Jo me fjalë, me fakte, si inceneratorët. Po imagjinoni pak në qoftë se ato 430 milionë euro të inceneratorëve, nuk do t’i merrte, ata që i kanë marrë, dhe katër-pesë veta që i kanë marrë, por do të përdoreshin, fjala bie, meqë po flasim për çmimin e naftës, për të krijuar një lehtësi, le të themi ne do ta bënim që sipërmarrja të mos nxjerrë njerëz nga puna të paktën. Por nuk ndodh kjo. Nuk ndodh. Sepse ato para dihet se kush i merr. Ka dalë një emër. Kanë dalë tre faktikisht. Njëri është në burg, ministri i Ramës. Mbiemrin e ka Koka, por e dimë të gjithë që është bishti.
Dy të tjerë, që italianët i thonë ‘presta nome’, para një viti kemi thënë, unë personalisht kam dalë, besoj e keni ndjekur konferencën për shtyp, dy javë a tre javë me radhë, se nuk e jepnin mediat, dy-tre javë me radhë kam thënë, këta ruajini se do largohen në drejtim të paditur. Mos i gjetshi me ndonjë kanal! Pse? Sepse siç e thashë, ai Koka atje është bishti. Koka e vërtetë, është i pari qeverisë”, deklaroi Basha.
Ai tha se me votën e lirë të shqiptarëve, të gjithë e dimë, që 25 prilli do të kishte qenë një ditë ndryshimi.
“Dhe po kështu me të Fierit, dhe me të ashtuquajturin incenerator të Tiranës, të cilët nuk djegin asgjë përveç parave të shqiptarëve. Po sa afera të tilla ka? Sa miliarda euro përpihen në mënyrë të tillë nga një grusht njerëzish? Arsyeja e dytë madhore sepse kjo ndodh, është se ky vazhdon të shijë e të grijë, sepse ka asgjësuar të vetmin instrument të llogaridhënies politike, që është vota. Me votën e lirë të shqiptarëve, të gjithë e dimë, që 25 prilli do të kishte qenë një ditë ndryshimi. Në fakt ishte një ditë ku kulmoi masakra zgjedhore. Kur ne thamë, na akuzuan se opozita nuk pranon asnjëherë humbjen. Kur doli raporti OHDIR-it, ku thuhej se shteti nuk garanton më as lirinë, as fshehtësinë e votës, që shteti përdor gjithë burimet e veta duke influencuar mënyrë të paligjshme partinë në pushtet, kur dolën listat e patronazhistëve, dhe pastaj dolën dhe rrogat e patronazhistëve pas disa muajsh. Atëherë u kuptua fare qartë, që këtu ka rënë çdo shtyllë e shtetit.
Çfarë rrugësh kemi përpara? Dy rrugë kemi; opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike”, theksoi kreu i PD.
Basha deklaroi se zgjedhjet janë o me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën, që do të thotë për Edi Ramën dhe se të tjerat janë broçkulla.
“Mund të rrimë të heshtur, mund të vendosim të mos futemi në këtë betejë, mund ta lëmë Ilir Metën, që me dorën e Sali Berishës, të marrë prapë vota demokratësh t’i çojë te Ilir Meta, ky pastaj t’i çojë tek Edi Rama. Se këto janë zgjedhjet; o me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën, që do të thotë për Edi Ramën. Të tjerat janë broçkulla. Dhe se kam fjalën vetëm për 6 marsin, e kam fjalën për gjithë iniciativat. Shikoni si bëhen bashkë kur iu cenohen interesat! E mbani mend në 2018-ën, iniciativën për vettingun politik? Sigurisht që e mbani mend. Pse në 2018-ën edhe Sali Berisha edhe LSI e firmosën dhe sot janë kundër? Pse? Pse janë kundër sot? Sot që e kanë bërë malin e akuzave kundër meje, kundër bashkëpunëtorëve të mi, më të lartë se malin e Dajtit, unë iu them merrini këto akuza, çojini në SPAK, unë i pari shkoj në SPAK, dhe bashkë me mua të vini ju të dy, Edi Rama, gjithë ministrat dhe ish-ministrat e tij, gjithë politikanët shqiptarë, dhe atje të bëhet vettingu i politikanëve. Atje të bëhet vettingu i pasurisë së çdokujt, familjeve të çdokujt, ortakëve të çdokujt dhe lidhjeve të çdokujt me botën e nëndheshme. Pse thonë jo? Se duan të vazhdojnë raketë e shpifjeve. Nuk e duan të vërtetën! Të tre i bashkon frika ndaj të vërtetës! Të tre janë pjesë e një makinerie zhurme dhe propagande që ka për qëllim të fshehë aktualisht dy gjëra; qeverisjen më të korruptuar dhe të dështuar që ka pasur ky vend këto 30 vite, që është arsyeja numër një e varfërisë, dhe armiku numër një i mirëqenies në kuptimin e plotë të fjalës për shqiptarët, mirëqenies ekonomike, mirëqenies shëndetësorë, sigurisë për jetën, mungesës drejtësisë, mungesës rëndit publik, emigracionit masiv dhe së dyti kjo propagandë mundohet të fsheh një tjetër të vërtetë”, tha Basha.
