Berati vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara turistike në vend, duke tërhequr çdo ditë një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj që zgjedhin të zbulojnë trashëgiminë kulturore, arkitekturën karakteristike dhe mikpritjen e qytetit.
Lagjja Kala mbetet pika më e frekuentuar nga turistët, ndërsa operatorët turistikë raportojnë fluks të lartë grupesh dhe rezervime të shtrira deri në fillim të muajit nëntor.
“Zakonisht kemi shumë francezë, polakë, hungarezë, kemi italianë. Javët e fundit ka pasur shumë nga Europa Lindore”, thanë përfaqësuesit e guidave turistike.
Sipas tyre, numri i vizitorëve ka vijuar të jetë i lartë gjatë muajit qershor, ndërsa pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme gjatë muajve korrik, gusht, shtator dhe tetor, bazuar në rezervimet e kryera.
“Muaji qershor ka pasur, vazhdon që të ketë prurje, por parashikohet që gjatë muajit korrik dhe muajit gusht në vazhdim shtatori, tetori deri në fillim të nëntorit, numri i këtyre grupeve do të jetë akoma më në rritje duke e parë nga rezervimet që ne kemi”, u shprehën përfaqësuesit e guidave.
Bizneset dhe operatorët turistikë e cilësojnë këtë një nga sezonet më të ngarkuara, me kapacitete akomoduese që po shkojnë drejt plotësimit maksimal.
Për të menaxhuar fluksin e turistëve dhe për të ruajtur zonën historike, Bashkia e Beratit ka kufizuar hyrjen e automjeteve në Lagjen Kala dhe ka vendosur në dispozicion tre autobusë elektrikë për transportin e vizitorëve.
“Ne kemi vendosur sistemin smart parking në kalanë e qytetit ku kemi bërë të mundur reduktimin e hyrjes së automjeteve për kalanë e qytetit duke bërë të mundur vetëm hyrjen e mjeteve për rezident dhe për bizneset”, tha Etleva Dhima, nënkryetare e Bashkisë Berat.
Sipas të dhënave të bashkisë, pas afro një milion vizitorëve të regjistruar vitin e kaluar, këtë sezon pritet që Berati të kalojë shifrën e 1.2 milionë turistëve.
Përveç turizmit kulturor, qyteti po shënon gjithashtu rritje të interesit për turizmin natyror dhe atë të aventurës, duke e zgjeruar ofertën për vizitorët përtej monumenteve dhe zonave historike.
