“Trillim fund e krye”, kështu e ka cilësuar Sali Berisha prangosjen e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit dhe akuzat që rëndojnë mbi të.
Ish-kryeministri tregoi në një intervistë për Euronews Albania se ishte në shtëpinë e tij duke lexuar kur e mori vesh lajmin pasi u njoftua nga disa miq të tij. “E mora vesh, më njoftuan. Këta kishin shumë kohë, duke mos pasur asnjë fakt, dokument, nuk e kishin shpallur person nën hetim dhe tani që e kanë arrestuar s’e kanë arrestuar si të akuzuar për vepër penale, e kanë arrestuar si person nën hetim. Dhe çfarë bënin këta? Herë pas here për të më bërë presion mua thërrisnin gazetarë të paguar prej tyre dhe ju thoshin që Abi Malltezi do të arrestohet. Keni gati mandatin e arrestit, por këto s’më bënë mua asnjë përshtypje, sikundër s’më bëri as ajo që mora vesh,” – u shpreh Berisha.
