Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbushur me njerëz të afërm e familjarë të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke lënë kështu jashtë profesorë, gazetarë dhe studentë të dhjetorit 1990.
Duke qënë deputet, vetë Sali Berisha është automatikisht edhe anëtar i Këshillit Kombëtar. Megjithatë, në listë nuk mungojnë as njerëz të afërt të tij, si dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, nipi Sevalgon Berisha, kushëriri Mal Berisha, kushërira tjetër Fjoralba Dizdari, mbesa Mimoza Hajdarmataj deri te nuni Bujar Vukaj dhe sekretarja e tij Valdete Vorpsi.
Po ashtu, 95% e studentëve të dhjetorit 90’ si Ardi Stefa, Agim Parllaku, Arben Sulo, Ajet Ramce, Ervin Shvarc, Dritan Kociaj, Sokol Allaraj, Spiro Cura dhe Nesti Kiri janë lënë jashtë, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë fëmijë të politikanëve që njihen për besnikërinë e treguar ndaj Berishës.
Pjesë e kësaj është edhe gazetari Fahri Balliu që ka arritur të fusë në Këshill të dy fëmijët e tij, Klevis dhe Megi Balliun.
Djali i Besnik Mustafajt, Andi Mustafaj dhe vëllai i gazetarit Çim Pekës, Avenir Peka u bënë gjithashtu anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së duke “spostuar” emra të njohur dhe me kortibute të shumta të profesorëve si Ardian Isufi, Merita Poni, Teuta Starova, Ndriçim Mehmeti, Merdian Axhani, Olsi Karapici.
Në listën “familjare” të Këshillit Kombëtar të PD-së nuk kanë arritur të përfaqësohen as studiues dhe gazetarë të njohur. Përmendim këtu gazetarët Erald Kapri, Sami Neza, Serafina, Patrik Sadikaj, Silvi Bardhi si dhe njerëz me kontribute të rëndësishme ndër vite në PD si Asllan Dogjani, Dashamir Tahiri, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Salvador Kacaj, Isa Sakja, Spiro Ksera, Kosta Barka të cilët mbetën gjithashtu jashtë Këshillit Kombëtar.
