Ish-kryeministri Sali Berisha ka sqaruar proçesin zgjedhor që po zhvillohet nga Komisioni i Rithemelimit për kryetarët e degëve. Sipas Berishës, me këtë proçes i jepet fund kryetarokracisë, pasi është vendosur në themel të partisë vota e anëtarësisë.
Po ashtu Berisha sqaroi se nuk ka pasur seleksionime të kandidatëve. Kandidimi ka qenë i hapur për të gjithë, tha ai, mjafton që ata të plotësojnë një formular që lidhet me dekriminalizimin.
Berisha u shpreh se janë duke punuar me një kompani për të sjellë rregullat më të mira të primareve.
“Ne kemi përcaktuar fundin e kryetarokracisë, kemi premtuar vendosjen në themel të partisë, votën e anëtarësisë, votën e lirë. Në një hap të paparë deri më sot, zgjedhjet e 6 marsit u organizuan me kandidatë që vetëkandiduan. Morën miratimin e anëtarësisë dhe kandiduan. Pra është një rithemelim kjo.
Unë kam konstatuar se mediat nuk e kanë kapur, cili është tipari më kardinal i kësaj. Kjo garë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Janë 38 degë, asnjë kandidat nuk është miratuar nga kryesia kolektive e PD apo nga ndokush tjetër. Kandidatët kanë mbushur një formular, i detyrueshëm për ligjin e dekriminalizimit dhe më pas kanë garuar.
Çdo kandidat ka të drejtë, nuk ka seleksion përveçse nuk plotësohen kushtet e formularit që janë të njëjta për të gjithë. Kjo është specifika e kësaj gare e pandodhur në historinë e kësaj partie. Janë të gjithë kandidat të degëve të PD. Psh miku im, Dasho Aliko nuk kandidoi, por sigurisht që do vazhdojë bashkëpunimin. Kemi patur raste të ngushta, raste të ndara me 8-9 vota. Megjithatë, në një rast konkret për fat të keq statuti nuk e ka balotazhin, por ne po punojmë që një kompani të na sjellë modelin më të mirë të primareve. Do marrim një kompani vetëm për primaret.
Nuk po them se nuk kishte tensione, të pakta kanë qenë por kanë ekzistuar. Nëse modeli që shënon fundin e kryetarokracisë mori fund, nuk mund të them që vota mori dimensionin që mund të ketë për shkak të listave. Ne trashëguam tre lista. Nuk u arrit të prodhohet lista gjithëpërfshirëse e anëtarësisë. Kjo mbetet për të ardhmen. Këto do marrin fund pas kontraktimit të një kompania që do na përcaktojnë rregullat e primareve”, u shpreh Berisha .