Pronari i vërtetë i jahtit që u gjet i braktisur në Shëngjin ka kërkuar të marrë mjetin e tij lundrues por prokuroria shqiptare ka refuzuar me argumentin se është provë për hetimin e çështjes, në një kohë që nuk dihet ende fati i kapitenit të jahtit.
Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë pronari i “Atik Bey”, Nedim Akyuz është shprehur se Sevgin Yavuz, dokumentet e të cilit u gjetën në jaht është kapiteni i mjetit dhe ishte nisur nga Budva për të marrë vëllain e biznesmenit në Korfuz.
Lexo edhe- Pronari i vërtetë i jahtit të braktisur në Shëngjin, zbulohet identiteti
“Sevgin Yavuz është kapiten i jahtit tim. Ishte nisur nga Budva për të marrë vëllanë tim në ishullin e Korfuzit, ku ndodhej me pushime. Hera e fundit që e kam telefonuar është kur ai ndodhej në Durrës. Më tha që kam hyrë në ujërat territoriale shqiptare dhe jam afër Durrësit. Një moment, më tha që nuk kishte shumë valë telefoni, ky ka qenë dhe kontakti im i fundit me të”. -kështu ka deklaruar përpara oficerëve të policisë, Pronari i vërtetë i jahtit që u gjet i braktisur 12 milje larg nga Shëngjini.
Sipas tij, kapiteni nuk ka pasur asnjë problem dhe nuk rezulton të ketë rekorde të mëparshme kriminale.
Jahti nuk i është kthyer ende, dhe pse Akyuz këmbëngul se shpenzohen miliona euro për mirëmbajtjen e ti dhe për të kjo është humbje.
Prokuroria e Lezhës nga ana tjetër ka çuar për ekspertizë celularin e Sevgin Yabuz, personi që mendohet i zhdukur, me shpresën se do të mund të gjejë të dhëna për të mësuar më shumë rreth fatit të tij.