Policia e Dibrës ka nisur procedimin penal për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për dy persona, F. A., 54 vjeç, S. L., 46 vjeç, banues në Dibër, simpatizantë të Partisë Demokratike.
Policia thotë se procedimi penal ndaj tyre filloi pasi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në fshatin Arras, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në drejtim të heqjes së paligjshme të lirisë, kundrejt shtetasit A.C (kryetar i degës lokale të PS), duke i ndaluar dhe kontrolluar automjetin në pronësi të tij.
Mjeti është mbajtur i bllokuar deri në mbërritjen e shërbimeve të Policisë, me pretendimin se ky shtetas, posedonte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor. Policia tha se nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga grupi hetimor në automjetin që drejtonte shtetasi A. C., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor.