Mbledhja e sotme e qeverisë është drejtuar nga zv.kryeministri Erion Braçe, pasi kryeministri Rama ndodhet në Londër për samiti e NATO-s.
Gjatë fjalës së tij Braçe tha se duhet të ndërhyhet sa më parë, teksa përmendi se në disa garazhe në Tiranë janë sharruar kolonat.
“Çdo të bëhet me shtesat me leje apo pa leje mbi pallatet para viteve 1990? Për mendimin tim aq sa kam parë, ata që janë bërë me leje sipas ekspertëve rrezikojnë strukturën e pallatit që sot është në rregull, por rrezikon më tutje, ata zyrtarë që kanë këto gjëra duhet të mbajnë përgjegjësi. Atje ku janë pa leje po prapë të mbajnë ata që i kanë bërë. Duhet marrë një vendim teknik se çfarë do të bëhet me shtesat mbi lejet e ndërtimit që rrezikojnë pallatet. Gjatë fazës së kontrollit duhet të kemi parasysh edhe këtë fakt. Mua më duket sporadike paraqitja e aq ndërtuesve, ndërsa në Durrës janë paraqitur aq sa thatë ju, në Tiranë nuk është paraqitur asnjë. Askush nga ndërtuesit nuk kanë marrë përgjegjësi. Procesi në Tiranë duhet të vihet nën kontroll dhe të mos lejohen qytetarët të kryejnë punime që nuk janë të certifikuara. Këtu në Tiranë unë kam marrë një seri shqetësimesh, shqetësime me atë që nuk duken, kryesisht me garazhe, ku janë sharruar kolona. Janë raste sporadike, por ne duhet t’u përgjigjemi së bashku me ata që janë përgjegjës, pra me ndërtuesit. Nuk kanë përmasën e Durrësit as në sasi, por as në përmasën e dëmit. Duhet t’u japim garanci njerëzve”-tha ai.
Ndërsa ministri fuqiplotë Çuçi tha se sot përfundon strehimi i të gjithë familjarëve të viktimave duke bërë dhe një apel për banorët.
“Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë”- tha Çuçi.
Sipas tij, duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonuesve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi.
“20 objekte të shembura deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje”, tha ai.