Të shtunën, 4 Maj 2024, qyteti i Burrelit do të jetë në festë. Do të kujtohet 102 vjetori i qendrës administrative. Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj, janë programuar disa aktivitete në qytetin e Burrelit, në sheshin “Kastriotët”, Parkun “Geraldinë”, Sheshin “Ahmet Zogu” dhe mjedise të tjera. Pikërisht këtë të shtunë do të çelet sezoni turistik në qytetin verlindor, do të organizohet panairi agro-kulturor, do të zhvillohet një paradë me motorë, një paradë me kuaj si dhe do të ekspozohen makinat Retro.
Aktualisht Burreli është një nga qytetet më të bukur në vend. Investimet e shumta jo vetëm i kanë ndryshuar pamjen, por ai afron kushte të mira jetese. Historianët e përshkruajnë të vështirë ngritjen e qytetit, por shprehen se ai ka qenë në “lëvizje”, në ndryshim të vazhdueshëm, që nga koha e Mbretit Zog deri në ditët tona. Qyteti i Burrelit shtrihet në një pllajë me lartësi 330 m mbi nivelin e detit, gati në qendër të krahinës së Matit. Emri “Burrel” është një trajtë e letrarizuar që ka pësuar evolucion dhe transformim, pasi, në shekujt XV-XIV ka ekzistuar fshati Bujril ose Burril që përfshinte jo vetëm qytetin e sotëm Burrelin por edhe rrethina të tij.
Burreli u caktua si qendër e Nënprefekturës Mat në Janar të vitit 1922. Pas kësaj periudhe nisën edhe ndryshimet e para në infrastrukturë, duke e kthyer atë në një qendër të vogël administrative. Zona ku shtrihet sot qyteti i Burrelit, ka dhënë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin e një kulture, që nis nga epoka e bronzit (2100-1200 p.e.s). Gërmimet arkeologjike të bëra në vitet ‘70-’80, shek.XX, në varrezat tumulare të Burrelit kanë dëshmuar se kjo kulturë ka vijuar edhe në periudhat e mëvonshme, në periudhën e hekurit, ku identifikohet kultura ilire e Matit dhe vijon në kohën e vonë antike. Megjithatë kjo kulturë ka evoluar dhe është trashëguar deri në ditët e sotme.
Nga periudha 1922 deri më 1928, Burreli si qendër administrative, përbënte një nga pesë njësitë e nënprefekturës Mat. Pra, ishte si krahinë ose komunë që kishte në përbërje disa fshatra. Pas vitit 1930 Burreli funksionoi si bashki. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë Shqiptare (1928- 1939), Burreli pësoi ndryshime rrënjësore, transformime të mëdha për kohën. Qeveria dhe pushteti vendor, që funksiononte si person juridik më vete, i kushtuan vëmëndje investimeve, në drejtim të ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës.
U ndërtuan: Godina dykatëshe e bashkisë (në vitin 1929 nisi të ndërtohej sipas projektit të hartuar nga inxhinierë italianë, edhe sot funksionale si godina aktuale e Bashkisë Mat), shkolla mbretërore e xhandarmërisë, xhamia e qytetit, godina e re e Nënprefekturës (1937), dyqane, restorante, thertore, fjetore, qendër shëndetësore, shtëpi banimi, tregu, burgu (1938), etj. Parku ose lulishtja e qytetit, që mban emrin e Mbretëreshës “Geraldinë”, përfundoi si projekt në vitin 1938, pasi me iniciativën dhe kontributin e saj u mbollën në këtë park disa nga bimët dhe drurët më të rrallë të kohës, që u sollën nga Australia, Azia, Europa.
Në Burrel pati një gjallërim të jetës kulturore me organizime dhe aktivitete festive të ndryshme të zhvilluara nga nxënësit e shkollave dhe trupave teatrore të qyteteve të tjera të vendit. Në vitin 1927, në Burrel funksionoi Internati “Mati”, ku mësonin nxënësit nga të gjithë krahinat veriore të Shqipërisë. Në kuadër të përpjekjeve për arsimimin dhe emancipimin e gruas funksiononin shkolla fillore për femra dhe një kurs arsimimi për gra. Gjatë periudhës së pushtimit fashist italian, në Burrel u ndërtuan disa objekte, si; rrugë, banesa, që i shërbyen edhe komunitetit. Në drejtim të rrugës së Muzeut, në dy anët e saj u ndërtuan dy objekte trekatëshe binjake përballë njëra-tjetrës, me arkitekturë italiane. Në njërën prej godinave, pas çlirimit, për një farë kohe funksionoi materniteti i vjetër i qytetit deri sa u ndërtua materniteti i ri. Ndërsa, godina tjetër trekatëshe që shërbeu për oficerët italianë, pas çlirimit, funksionoi si çerdhe fëmijësh, e cila që nga viti 1974 deri në ditët e sotme është Qendra Kulturore e Fëmijëve, Mat.
Përpjekjet e para për rindërtimin e qytetit nisën pas periudhës së Luftës II Botërore. Ndonëse me një ritëm të ngadalshëm fillloi transformimi i tij, pas vitit 1950, kur filluan të ndërtoheshin rrugë, godina, banesa, pallate dy katëshe në drejtim të rrugës së Komsisë, me arkitekturë sovjetike, ujësjellësi i qytetit(1956), kinemaja (1957) shkolla e mesme, dispanceria, ofiçina, mobileri dhe objekte të tjera. Burreli i quajtur ndryshe si “qyteti i mollëve”, gjatë viteve ‘70–’80, shek. XX, pësoi ndryshime të rëndësishme infrastrukturore dhe urbanistike, që u pasqyruan në projekte dhe ndërtime, si; godina të disa institucioneve shtetërore, spitali, Pallati i Kulturës Burrel (1970), punishte të ndryshme artizanale, artistike, përpunim druri, pallate nga pesë deri në 6 kate, parafabrikate, kullat kineze dhe pallatet në qendër të qytetit, dyqane, mapo, markata, restorante, shtëpia e oficerëve, hotel “Turizmi” (1975), shkolla, kopshte, çerdhe.
Në vitin 1971, Muzeu Historik Mat, fillimisht funksionoi në qendër të qytetit, ndërsa godina aktuale u inagurua në vitin 1986. Më pas u ndërtua stadiumi (1986), Pallati i Sportit (1988), Këndi i Lojrave për Fëmijë, Teatri i Kukullave si dhe të tjera objekte që i dhanë qytetit pamjen dhe fizionominë që e ruan edhe në ditët e sotme. Burreli ndër vite është pasqyrë e vizionit, punës, iniciativave qeveritare.


