Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasditen e sotme ka qenë në veri të vendit,në bashkëbisedime me qytetarët. Takimin e parë, lideri demokrat e zhvilloi Malësinë e Madhe ku dëgjoi nga afër shqetësimet e biznesit të vogël.
Ndërkohë që më pas u zhvendos në një takim me të rinjtë në Shkodër, ku dëgjoi problemet e tyre. Por ajo që tërhoqi vëmendjen më shumë ishte mungesa e pranisë së kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
E zgjedhur nga PD-ja në zgjedhjet e 2015, Ademi i ka bërë shumë herë opozitë qeverisë nga kryeqendra e veriut, ndërsa nuk kanë munguar përgjigjet e kryeministrit Rama. Por në takimet e sotme, që edhe pse jo zyrtarisht, ngjajnë me një fushatë elektorale, Voltana Ademi nuk ishte e pranishme.
Në takimet në qytete të ndryshe ku bashkia drejtohet nga të zgjedhurit e PD-së, Basha ka qenë i shoqëruar nga drejtuesit lokalë, ndërsa në datë 9 mars, kur ishte në Kamëz gjatë takimeve me qytetarët rikonfirmoi rikandidimin e Xhelal Mziut.
