Prej shumë orësh tashmë vijon seanca gjyqësore tek Krimet e Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në mbrojtjen e tij ai ka qenë mjaft i ashpër me organet e drejtësisë, prokurorët dhe gjyqtarët, teksa kërkoi që gjykata të jepte vendimin për pafajësi.
Jashtë ironisë së tij nuk kanë qëndruar as faturat e kripura të hoteleve të ministrave që janë përmendur në media ditët e fundit, por pa i përmendur me emra.
“Prokuroria ka hetuar të gjithë lidhjet e mia shoqërore dhe ka pyetur me letër porosi, se c’ punë kishte këtë nuk e di. Ka çuar letër porosi dhe ka pyetur edhe për çmimet e hoteleve ku kam fjetur, në media u tha se unë flija në hotele me 1 mijë euro nata. Por ju garantoj se me letër porosi është garantuar se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro, jo si ajo tjetra që paguante 900 euro nata” mësohet të jetë shprehur Tahiri.
Gazetarët e pranishëm në sallë bëjnë të ditura se kjo u shoqërua me ilaritet dhe të qeshura.
Në seancën maratonë që po ndiqet dhe nga përfaqësues të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, situata ka qenë mjaft e tensionuar.
Sipas gazetares së News 24 Klodiana Lala, Saimir Tahiri ka marrë një nga një provat e Prokurorisë, duke tentuar t’i rrëzojë ato. Nga përgjimet e Prokurorisë, Moisi Habilaj flet me trafikantët, madje në një moment del në pah dhe “shefi i madh”, madje thuhet se ishin dhe në drekë me “shefin”.
“Në fakt në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjerim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, ka thënë Tahiri.
Ish-ministri ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorëve, duke thënë se ata kanë dështuar për të provuar akuzat ndaj tij. Ai ka qenë shumë i ashpër ndaj prokurorëve, duke i akuzuar për mosveprim ndaj grupit kriminal “Habilaj”.
“Doja të dëgjoja sot provat konkrete. Në kohën që Prokuroria më lidh me Jaeld Çelajn, ky i fundit nuk ishte më drejtor i Policisë së Vlorës. Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria të më thotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, mësohet të ketë thënë ish-ministri Tahiri në seancë.
Ndërkohë, Saimir Tahiri ka mohuar të ketë qenë personi që merrte 30 mijë euro, siç rezulton në përgjimet e Prokurorisë, teksa flitet për një person me emrin Saimir”, duke thënë se bëhej fjalë për një shofer kamioni.