Ansi Agolli rikthe het të flasë për sfidën KarabakPartizani, këtë herë për mediat azere. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, që prej muajit mars aktivizohet në Amerikë te Nju Jork Kozmos, mendon se sfida e sotme në “Dalga Arena” do të jetë e vështirë për Karabakun. Ai paralajmëron ish-ekipin se Partizani nuk ka se çfarë të humbasë, prandaj dhe Karabaku duhet të jetë i përqendruar deri në fund të lojës.
Sipas Agollit, Liga e Kampioneve është një kompeticion që dhuron surpriza, sidomos në turet e para. “Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë interesante. Ashtu si e para, do të jetë disi e tensionuar. Ne e dimë shumë mirë sa efikasitet ka Karabaku kur luan para tifozëve të vet.
Por, në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Sigurisht, Karabaku është favorit për të kaluar turin”, është shprehur fillimisht Agolli për “azerisport.com”. I pyetur nëse parashikon një surprizë të Partizanit në Baku, ishmbrojtësi që në karrierën e tij më shumë ka luajtur me Karabakun, ndërsa në Shqipëri me fanellën e Tiranës dhe Apolonisë, u shpreh: “Surprizë? Është futboll dhe mund të ndodhë gjithçka, për më tepër në Ligën e Kampionëve.
Me sa kujtoj, në sezonin e kaluar ka pasur shumë surpriza në turet e para. Karabaku duhet të koncentrohet deri në fund, të bëjë shumë kujdes, pasi Partizani nuk ka çfarë të humbasë dhe do të luajë shanset e veta”. Ndërkohë, për “Panorama Sport” pas barazimit 0-0 në “Selman Stërmasi”, Agolli deklaroi:
“Karabaku ishte superior në qarkullimin e topit, ndërsa Partizani u tregua i kujdesshëm në mbrojtje dhe rrezikoi me kundërsulme. Tani ka një ndeshje tjetër që do të luhet në Baku, që do të jetë akoma më e vështirë për Partizanin. Karabaku është i fortë në shtëpi, edhe pse nuk do të luajë në stadiumin që përdor gjithmonë”.
