Ndjenja e ‘unitetit’ ishte ajo që i mbajti vendet evropiane të përkushtuara ndaj kauzës ukrainase.
Kjo ndjenjë e përgjegjësisë kolektive udhëhoqi gjithashtu Evropën për t’u bashkuar me aleatët e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione kundër Rusisë.
Por tani, ky unitet evropian po përballet me sfida të shumta, më e spikaturat nga të cilat është pikërisht trekëndëshi që është formuar mes këtyre 3 shteteve – Bullgari, Hungari dhe Itali.
Bullgaria
Në Bullgari, një qeveri që mbante një qëndrim të fortë kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës u rrëzua në qershor.
Që atëherë, Bullgaria po udhëhiqet nga një qeveri e përkohshme që ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj Rusisë, madje duke treguar se do të ishte e gatshme të negocionte një marrëveshje gazi me Moskën në një kohë kur BE-ja po përpiqet medoemos të heqë dorë nga varësia e saj nga energjia ruse.
Ministri bullgar i energjisë në detyrë Rosen Hirst ka thënë kohët e fundit se gazi rus është thelbësor për Bullgarinë nëse ajo do të mbijetojë këtë dimër.
Zgjedhjet e ardhshme në Bullgari janë planifikuar për në fillim të tetorit dhe qeveria anti-ruse që u rrëzua në qershor nuk do të rikthehet.
Një qeveri pro-ruse mund të sjellë telashe marramendëse për Bashkimin Evropian pasi masat e saj kundër Rusisë mund të pengohen nga vetoja bullgare.
Italia
Në Itali, qeveria e saj e parë e ekstremit të djathtë që nga regjimi i Benito Musolinit sapo ka ardhur në pushtet.
Koalicioni përbëhet nga 3 admirues të hapur të Vladimir Putin.
Ndërsa kryeministrja e re, Girogia Meloni ka lavdëruar publikisht Putinin në të kaluarën dhe ka kritikuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë, aleatët e saj si Berlusconi edhe Salvini, njihen prej kohësh si dy miq të afërt të Vladimir Putin.
Ngritja e një qeverie të tillë në Itali do të përbëjë një tjetër kërcënim ndaj unitetit të deritanishëm të Bashkimit Europian i cili mund të përballet me një rezistencë të ashpër nga Italia.
Hungaria
Ndërkohë, në Hungari, një qeveri pro-ruse e drejtuar nga kryeministri Victor Orban, është kthyer në një tjetër sfidë për BE-në.
Hungaria ka qenë shumë kritike ndaj sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të notojë kundër rrymës në lidhje me marrëdhëniet e saj me Moskën.
Në gusht, Hungaria vendosi të marrë një hap përpara për ndërtimin e 2 reaktorëve bërthamorë nga Rusia.
Prirjet pro-ruse të Orbanit kanë bërë që Komisioni Evropian të rekomandojë bllokimin e fondeve të BE-së për këtë shtet me një vlerë që arrin mbi $7.5 miliardë dollarë. Kjo përfaqëson 5% të PBB-së së Hungarisë këtë vit.
Së bashku, Bullgaria, Hungaria dhe Italia, mund të krijojnë një efekt domino në të gjithë Evropën, i cili mund t’i detyrojë vendet e tjera të rimendojnë qëndrimin e tyre për temën e sanksioneve ndaj Rusisë dhe lidhjeve të tyre me Moskën.
Shenjat nga e gjithë Evropa janë të qarta.
Politika liberale po bëhet gjithnjë e më jopopullore dhe populizmi dhe e pikëpamjet e djathta po shihen nga shumë si e vetmja zgjidhje.
Njëri pas tjetrit, shtetet në Bashkimin Europian po shohin rritjen e atyre që mund të quhen lirisht si forcat e ekstremit të djathtë.
Rritja e kostove të jetesës, inflacioni, dhe kriza energjetike po nxisin ngritjen e politikës së “krahut të djathtë” në Europë.
Vende si Suedia, Franca, Republika Çeke, Sllovakia apo Italia – po shohin mbështetjen ndaj këtyre partive të rritet.
A do të jenë të suksesshme qeveritë e këtyre vendeve në thyerjen e unitetit të Europës në raport me Rusinë?
Vetëm koha do ta tregojë.