Forca të shumta policie, ndër to edhe RENEA, kanë rrethuar një pallat 9-katësh në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fier. Ndërkohë që policia u ka kërkuar përfaqësuesve të medias të qëndrojnë larg, pasi mund të ketë të shtëna me armë zjarri. Policia nuk lejon as kalimin e këmbësorëve.
Mësohet se forcat e rendit po zhvillojnë një operacion për kapjen e personave në kërkim.
Operacioni në Fier vjen disa orë pas ngjarjes në Elbasan, ku dy të shumëkërkuar, Talo Çela dhe Nuredin Dumani shkëmbyen zjarr nga automjetet në aksin rrugor Elbasan-Peqin.
Pak metra larg vendit të ngjarjes policia bllokoi një automjet tip ‘BMW X5’, me goma të shfryra nga plumbat, i cili besohet se i përket Talo Çelës. Brenda makinës u gjet një bidon me benzinë dhe një armë zjarri kallashinkov.
Burimet thonë se Talo Çela do të kryente një atentat në qytetin e Elbasanit, kur iu bë pritë nga Nuredin Dumani, i cili një vit më parë i ka ekzekutuar të vëllanë, Bujar Çela.
