Xhani De Biazi prej disa muajsh ka filluar një aventurë të re në stolin e Azerbajxhanit, me një detyrë ndoshta shumë më të vështirë se ajo e Shqipërisë me të cilën arriti të shkonte në Euro 2016. Një aventurë që ka nisur shumë vite më pare në fakt, kur Azerbajxhani e kishte kontaktuar ndërsa ai vishej ende si kuqezi.
“Me ta kisha një kontakt në vitin 2014, por nuk u bë asgjë atëherë, pasi në fund vendosa që të qëndroja te Shqipëria”, kujton De Biazi për TMË se si refuzoi asokohe ofertën azere dhe bëri zgjedhjen e duhur që i dha një ndër kënaqësitë më të mëdha të karrierës.
I pyetur për të sygjeruar emra lojtarësh azerë që mund të bënin diferencëb e mund të shërbenin edhe për klubet italiane, De Biazi ka preferuar që të mos përmendë emra.
“Nuk them emra pasi jam trajneri i kombëtares dhe jo një menaxher futbollistësh. Përtej kësaj, në të kaluarën i kam sugjeruar drejtuesve sportivë ndonjë emër nga Shqipëria dhe ndonjë prej tyre sot luan në Ligën e Kampioneve… E di që nesër do të më telefonojnë të gjithë drejtorët sportivë”, tha duke qeshur De Biazi.
Ish-trajneri i kuqezinjve këtu i referohet Berat Gjimshitit për të cilin ndërhyu personalisht që të transferohej asokohe te Atalanta pasi ishte larguar nga Zyrihu dhe kishte mbetur pa ekip.
