Shoqata atdhetare “Vëllazërimi Kuçiot”, një nga anëtarët e të cilës A. Sulaj, kanë kundërshtuar ngritjen e HEC në zonën e mbrojtur, çka sipas tyre do të shkatërronte faunën dhe florën në Buronjat e Kuçit dhe Lëpushë, vendburim i lumit Shushicë (lumi i Vlorës), degë e lumit Vjosa.
Postimi i plotë
Të dashur miq e vëllezër,
Së pari, doja të kisha mirëkuptimin tuaj të dashur vëllezër e motra Kuçiot kudo që jetoni, mirëkuptimin për:
Personalisht nuk kam asnnjë interes që lidhet direkt apo indirekt, me ndërtimin a mosndërtimin e Hidrocentralit në këtë zonë.
Si të bëhet, si të mos bëhet ky HEC (unë besoj shumë që kurrë nuk do ta lejojmë të ndërtohet), unë në Kuç do shkoj edhe më shumë sesa kam shkuar, sepse aty kam origjinën, aty prehen përjetësisht të dy prindërit e mi, kam njerëzit e dashur, të parët e mi.
Unë jetoj e punoj në Tiranë dhe nuk kam më as kohë e as mundësi të vij e të jetoj e punoj në fshat, POR ME KUÇIN në mendje e zemër jetoj, prezantohem me shumë krenari dhe realisht e ndiej si një “titull” të lartë, kur më njohin e më flasin si KUÇIOT. E si unë, nuk besoj janë pak.
Ajo që ju lutem, është që këtë status MOS ta trajtoni politikisht, pasi nuk i shërben qëllimit për të ruajtur të paprekur Buronjat e Lëpushën. PËRKUNDRAZI ju siguroj se ata që duan ta thajnë Lëpushën, Lumin dhe Buronjat, ATË DUAN, të kanalizohet politikisht e të jemi të përçarë (i gënjen mendja deri tani, se mund të kenë ‘këputur’ ndonjërin, me interesa të vockëla, por ata nuk e dinë se çfarë përfaqëson Kuçi).
Kemi treguar se jemi vëllezër edhe pse me “ndonjë plagë nga e kaluara”, por prapë u kemi dëshmuar të tjerëve, se për fshatin jemi NJË.
Ndaj ju lutem mos komentoni politikisht, të paktën në këtë status!!
Pashë në facebook, adresa “Kuçi ynë”, “Buronjat e Kuçit“ një njoftim të dt. 18 Maj 2022, për një dëgjesë që do bëhej në Buronja (foto nr. 1), lidhur me një Hidrocentral që do ngrihej përballë lagjes “Lugje” me ujin e Lëpushës. Megjithëse nuk e besova, patjetër si bir i Kuçit (e më saktë nga Buronjat), u interesova se për çfarë bëhej fjalë ekzaktësisht dhe më informuan se PO, ishte e vërtetë Lumi i Lëpushës, pra aty ku buron Shushica që është një nga degët kryesore të Vjosës, do të futej i gjithë në “Kanalin e Alltiut” (foto nr. 2 & 2/1). Sipas projektit do të kalonte mbi lagjet: ”Katafiq”, “Gjomit”, në “Qafë të Kazhelit” dhe do të zbresë në Hekal, përballë “Lugjes“.
Pra me një kosto minimale, pasi kanali me tre tunele është bërë që në kohën e Kooperativës dhe është funksional, vendi ku buron lumi Lëpusha me kanalin jane as dy-tre metra larg, e kuptohet se parë në aspektin e biznesit, nuk ka sesi mos të jetë me leverdi ekonomike. Pra siç thashë më sipër, lumi do të futej në “Kanalin e Alltiut “, të ndërtuar me aq mund e sakrifica në vitet ‘70, për të ujitur tokat deri në “Plihëra“ e për të ndërtuar edhe dy lagje shumë të bukura me 50 shtëpi “Kadafiqin”dhe “Gjomitën” (fotot nr. 3 & 3/1), konkretisht familjet: Imeraj, Sulaj, Bushaj, Manolaj, Baraj, Nenaj, Buxhelaj, Zenelaj, Hoxhaj, Aliaj, Sadikaj, Kondaj, Memaj, Agaj e Alikaj.
Gjithashtu ky kanal përdoret deri tek “ura e Thomare” dhe nga familjet: Ngucaj, Korvafaj, Fikaj (foto nr. 4 & 4/1 & 4/2).
Me investimin që u bë në vitet ‘80, u ndërtua edhe ‘Sifoni’ që bën të mundur përdorimin e ujit të Lëpushës për vaditje, nëpërmjet kanalit edhe për për pjesën tjeter të lagjes përballë “Plumeza”, “Kosel”, “E Alike” deri në “Misuk”.
Unë shkova në fshat dhe u interesova për këtë takim (organizuar me urgjencë), ku kishin qenë pjesëtarë të komunitetit, shumë pak vetë, pasi nuk ishin lajmëruar në kohë, por edhe për angazhimet në punët e stinës. Më erdhi shumë mirë që përgjithesisht fryma e takimit kishte qënë në unison, kundërshtuese e këtij projekti.
Bashkëfshatarët e mi më thanë së në takim kishin qenë si përfaqësues të investitorëve z. Llapashtica e z. Hajdari dhe një zonjë që ishte prezantuar nga Ministria e Energjitikës (po nuk iu kujtohej emri). Nga mbiemrat të dy zotrinjtë, nuk më rezultojnë të jenë nga Kuçi (të paktën në një listim të 85-90 mbiemrave që kam) me origjinë, por as me ndonjë lidhje farefisnore me Kuçin (krushqi a miqësi).
Duke parë në adresën online të QKB-së, më rezultoi se në 9 Qershor 2015, është krijuar një shoqëri tregëtare “AGE KUÇ” shpk me seli në Himarë, me 3 ortak “Albanian General Elektricity” sh.a., përfaqësuar nga z. Llapashtica, A. Hajdari e A. Kokëdhima (foto nr. 5).
Objekti i kësaj shoqërie është pikërisht “Marrja e autorizimit për projektimin ndërtimin dhe operimin e Hidrocentralit Kuç, për prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike…” (statusi i kësaj shoqërie dhe bilancet e depozituara në organet tatimore, do të kërkohet të jenë objekt i verifikimit të thelluar nga organet tatimore e ligjore, në vijim).
Nuk kam kurrësesi asnjë njohje me këta zotërinj që duan të investojnë e që janë në të drejtën e tyre, si bisnesmenë, por edhe nëse do të ishin investitorë nga Kuçi, do të reagoja njëlloj (njoh shumë sipërmarrës kuçiot këtu në Tiranë, në Vlorë edhe jashtë vendit, që kanë kapacitete financiare dhe administrative të mjaftueshme të ndërtonin këtë Hidrocentral, që siç është prezantuar ka një kosto shumë minimale, por me impakt KATASTROFIK për fshatin).
Në një bisedë para disa vitesh me të nderuarin inxhinjer të fushës, biri i fshatit z. Kajtaz Alikaj, mësova se vërtet ishte e mundur dhe ishte një ide e hedhur vite më parë, të bëhej një HEC duke shfrytëzuar terrenin e favorshëm, me një digë diku lart grykës, poshtë “Havarit“ pa prishur fare ekosistemin dhe absolutisht Buronjat, përkundrazi duke e bërë edhe më tërheqëse zonën përreth.
POR KURRSESI KËSHTU SIÇ ËSHTË PROJEKTUAR, PËR TË THARË LUMIN DHE PËR TË SHKRETUAR BURONJAT DHE LËPUSHËM. Dhe gjithë zonën përreth.
Përse po reagoj dhe përse duhet të reagojmë fuqishëm TANI, të gjithë sa jemi Kuçiot- jo vetëm 148 familjet që sot jetojnë në Kuç, por të gjithë kuçiotët kudo që ndodhen? (Kuçi është mbi 1000 familje, që janë të shpërndarë brenda vendit 700-800 familje, Tiranë, Vlorë, Fier, Durrës, Sarandë, Orikum, Himarë-Borsh, Gjirokastër etj. dhe afro 300-350 familje në mërgim nëpër botë).
Mjafton të jesh nga Kuçi, i lindur aty apo me origjinë dhe e kupton se nëse Lumi “paketohet“ në tubo e në kanal, pasi kalon për 7-8 km deri në “Lugje”, gjithë zona nga Lëpusha, “Buronjat, “Katafiq”, “Gjomit”, “Qarrisht, “Vivari tek Ngucajt”, “Tek e Fike”, “e Korvafe”, “Ura e Thomare”, “Reç”, “Sheshi Rakipe”, “Va” , DO TË JENË PA UJË, KSERIKUA.
‘Teoritë’ e këtyre investitorëve të prezantuara deri tani, e që do trumbetohen më shumë në të ardhmen, qoftë edhe me tek-tuk ndonjë “folës” nga fshati, duke paraqitur edhe “dokumente” se “zona do të bëhet më e bukur” se nuk do merret i gjithë uji”, se nuk do të shfrytëzohet gjatë kohës kur duhet për vaditje“ se “Buronjat “nuk preken fare nga kjo vepër”, “se do tua japim falas energjinë ju të fshatit”, “se do punësojmë aq e kaq vetë nga fshati”, etj. etj. – janë të gjitha të pavërteta dhe janë vetëm sa për ta “paketuar në tubo” aq ujë sa ka Lëpusha sot dhe nëpërmjet “Kanalit të Alltiut“, ta çojnë në Hekal.
Pastaj “shohim e bëjmë për ato që thamë”, e dimë të gjithë se si ndodh më pas, në mos e dimë, vemi e pyesim në Fterrë se edhe atyre në fillim u thanë shumë gjëra.
Ju vëllezer e motra që e njihni mirë atë vend, e dini se aty ka shumë vite që nuk janë më ato prurje uji siç ka qenë më parë, kjo ndoshta edhe nga faktorë natyrorë që lidhen me ndryshimet klimatike, por edhe me dukurinë se një pjesë e prurjeve humbet në zall dhe del shumë poshtë përgjatë rrjedhjes së lumit.
Investitorët me siguri prezantohen me prurjet litër/sekondë që dikur ai lumë ka pasur e që në fakt kanë qenë shumë më shumë se tani. Por realiteti i shumë viteve të fundit, është krejt tjetër (prurjet këtë dekadë nuk janë as sa gjysma e asaj që ka qënë më para, në këto beharët e fundit, lumi pakësohet e bëhet si një përrua i vogël).
Por, ta zemë për një moment se i besuam që do të shfrytëzohet me kohë të pjesshme (shanset për këtë janë afër ZERO), po flora dhe fauna e zonës në të cilën kalon ky lumë si do të mbijetojë???
Ne e dimë që deri në Lëpushë lumi ka peshk, trofta/pestrova, mystehak, ngjala, mëllenja e ujit, shelgjet, rrepet etj. I gjithë ky ekosistem qoftë edhe për disa orë të jetë pa ujë do të shkatërrohet.
Buronjat, Lëpusha, Gryka e Shurit, është e të gjithë Kuçiotëve kudo ndodhen e për të duhet të gjithë të pyeten NËSE JANË DAKORT, që Buronjat, Lëpusha dhe deri në Hekal TË THAHEN, OK ASHTU TE BËHET.
Por nuk besoj se ka një kuçiot kudo ku jeton, që nuk është krenuar me Buronjat e me ujin e bekuar të Lëpushës.
Nëse ky hidrocentral bëhet, Lëpusha futet në kanal, dhe thahet komplet vendi, që nga Lëpusha e deri në Hekal, padiskutim edhe tre lagjet që janë ndërtuar pikërisht se u bë kanali (u grupuan më së shumti në këto lagje duke lënë vatanet e të parëve të tyre në Bobovisht, Rad, Kunjovë, Zelisht, Mëlike, Lagësira etj.)
Pra, ato vende të bukura që kushdo ka ardhuar apo ka kaluar i kanë lënë mbresa, sapo të bëhet ky hidrocentral do të shkatërrohen përfundimisht, pra edhe Memoriali i ngritur në Buronja ku A.Z.Çajupi, u mrekullua kur kaloi dhe shkroi me admirim për atë Grykë e për ato vende, përpara 120 vitesh, do duhet të hiqet.
Me rrugët që u ndërtuan së fundmi e që i dhanë shpresë fshatit, duke e lidhur me Bregun, me Kurveleshin me gjithë Labërinë, u gëzuam se fshatit iu kthyen edhe ata që më parë nuk kishin qenë asnjëherë në vatanin e të parëve; u rrit shpresa se edhe mund të kthehen të rinjtë për të investuar në turizëm, siç kanë bërë edhe në fshatra të tjerë, por tani a mund të bëhet turizëm duke tharë Lumin, Buronjat, Lëpushën, Vivarin? A mund t’ju tregojmë turistëve se “këtu ka qënë një Lumë për shekuj e shekuj, por ka ca kohë që e kemi futur nëpër tubo?“
Buronjat janë në listën e Monumenteve Natyrore, (bashkë me Hilqet e Zarelit, Qarku Vlorë numër rendor 39) e si e tillë në bazë të legjislacionit në fuqi janë një sërë institucionesh shtetërore përgjegjëse për ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre monumenteve (legjislacioni për zonat e mbrojtura).
Kuçi është i përzgjedhur në projektin e 100 fshatrave turistik dhe me zhvillimin e deritanishëm të infrastrukturës e me disa shkëndija shumë pozitive në fushën e turizimit, që janë bërë deri tani nga vëllezërit tanë aty e që me siguri do të shtohen, ne vijmë në fshat edhe me shok e me miq e ua rekomandojmë me krenari edhe të tjerëve (foto nr. 6 & 6/1).
Ne ju tregojmë me ‘mburrje’ Buronjat, Lëpushën grykën e lumit,6 -7 mullinjte shekullore pergjatë lumit nga Lëpusha deri te Ura e Thomare (Mulliri i Godos, Mulliri në Rrepe të Xhelile, Mulliri në Gjomoksh, Mulliri i Kamere, Mulliri i Gjoleke, Mulliri i Thomare etj.) TANI PËRSE T’I FTOJMË, E ÇFARË T’U TREGOJMË? T’u tregojmë sa bukur do duken tubot që do varen nga Kazheli?
Vëllezër e motra Kuçiot,
Ju lutem mos dëgjoni “zërat” se “ka marrë fund, hidrocenatrali do bëhet”, “ata janë të fuqishëm”, “i kanë kopsit letrat se janë jurist shumë të aftë”, “kanë mbështetjen e atij, e këtij”. JO, JO, JO.
Asnjë gjë nga këto që ju thonë nuk është e vërtetë dhe nuk do të ndodhë, pasi edhe ne kemi: juristë (edhe më të zotët madje), akademik, profesorë, ambientalistë, ekonomistë, ekspertë të fushës, padiskutim edhe politikanë në të gjithë kahët e politikës. Po kemi dhe kemi shumë e madje nga më të zotët, e që të gjithë këta kanë në gen edhe përkatësinë nga KUÇI I LABËRISË.
Gjithë procedura do të duhet të kalojë shumë hallka dhe shumë institucione do të duhet të shprehen me vendime derisa të miratohet ndërtimi e shfrytëzimi dhe ne bijtë e bijat e Kuçit, kudo që të jemi do të ngremë zërin dhe do të organizohemi për të mbrojtuar Lëpushën dhe Buronjat.
Është në radhë të parë komuniteti aty, pleqësia, Njësia Administrative, Bashkia Himarë, Këshilli Bashkiak, Këshilli i Bazenit Ujor, që drejtohet nga Prefekti i Qarkut Vlorë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia e Menaxhimit te Burimeve Ujore AKZM Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe institucione të tjera të shtetit, që do të informohen zyrtarisht nga komuniteti dhe pushteti vendor dhe do t’ju kërkohet ndërhyrja e tyre në funksion të përgjegjësive që kanë.
Nëpërmjet “Shoqatës Labëria”, “Vëllazërimi Kuçiot”, shumë intelektualëve, akademikëve dhe profesorëve të nderuar, veprimtareve dhe ekspertëve të mjedisit, të së drejtës, të financave dhe ekonomisë medias etj., do të ndërrmeret një fushatë e organizuar sensibilizuese për mbrojtjen e Buronjave, si një
Monument Natyror me vlerë të madhe për Kuçin dhe Labërinë.
Do të koordinohet kjo veprimtari me pleqësinë e fshatit, me pushtetin vendore dhe me këdo që do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për këtë problem.
Do të ishte në të mirë edhe të “AGE KUÇ” shpk, që të konsideronte faktin se para se të ndërmarrin këtë inisiativë biznesi, do të ishtë pozitivë të dëgjohesh jo vetëm zëri i 10-20 personave shumë të nderuar Kuçiot, por i një komuniteti shume më të gjerë.
Jemi shumë të hapur për takime nëpërmjet përfaqësuesëve të nderuar të Shoqatës Labëria z. Ago Nezha dhe kryetarit të Shoqatës “Vëllazërimi Kuçiot“, zotit Kujtim Bishaj, me një pjesëmarrje të shumë intelektualëve të nderuar kuçiot. Ashtu siç jemi shumë të vendosur të insistojmë për të mbrojtur Buronjat, duke ndjekur gjithë hapat e duhur ligjor.
Siç ju luta edhe në krye, ky status nuk duhet të përdoret për politik, por VETËM PËR mbrojtjen e LËPUSHËS dhe për BURONJAT… JU LUTEM!
TË MBROJMË LËPUSHËN DHE BURONJAT SOT, SE UA KEMI BORXH TË PARËVE TANË DHE FËMIJËVE NESËR!