Në mes të debatit të fortë politik, në seancën e së enjtes së shkuar në Kuvend, deputeti Belind Këlliçi kërkoi një minutë heshtje për 38 intelektualët e vrarë më 16 nëntor 1944 nga komunistët, në vigjilje të çlirimit të Kryeqytetit.
Drejtuesja e seancës, deputetja e PS-së Ermonela Felaj iu përgjigj se “do të ishte më respektuese edhe ndaj njerëzve për të cilët ju kërkoni që të mbahen një minutë heshtje, edhe ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë këto të mos vijnë si elementë surprizë dhe respekti të bëhet në mënyrën e duhur”.
Në ato momente deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë për 1 minutë heshtje ndërkohë që socialistët nuk e kanë bërë diçka të tillë. Kjo i ka revoltuar ish-të përndjekur politikë të cilët këtë të mërkurë kanë dalë në një deklaratë për mediat, ku i kanë bërë thirrje opozitës që të mos e lejojë zhvillimin e seancës së nesërme plenare pa pasur një ndjesë nga ana e socialistëve.
“Të kërkojnë familje publike familjarëve që nuk kanë gjetur eshtrat e intelektualëve. Opozita të mos lejojë vijimin e seancës parlamentare pa kërkuar falje ata deputetë që paturpësinë më të madhe nuk u ngritën për një minutë heshtje për të nderuar viktimat. I kemi kërkuar Parlamentit që të caktohet një ditë kujtese për 6 mijë të zhdukur që i ka pushkatuar diktatura Hoxha”, tha Besim Ndregjoni, kreu i Shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë.