Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e disa ditëve më parë të ish-mësuesit Elius Thartori në Vlorë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dyshohet se autorët janë me pagesë dhe ata kanë qëlluar nga një distancë prej 70 metrash.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ata kanë qëlluar nga makina dhe kjo është arsyeja që nuk ka pasur asnjë gëzhoje në vendngjarje. Për më tepër mjeti dyshohet të ketë përdorur targa të falsifikuara.
Thartori ndodhej në ballkonin e shtëpisë me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre. 36-vjeçarit një plumb i ka prekur mushkërinë por nuk ka qenë fatal për të pasi ballkoni ka pasur mbrojtës xhami.
Aktualisht policia ka disa pista hetimi, pasi Thartori ka qenë më herët i dënuar me 10 vite burg për vrasje, pasi në moshën 17 vjeçare në Durrës, ai ka vrarë njerkun e tij. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2003.
Thartori, ka qenë mësues i edukimit fizik të shkollës 9 vjeçare “Teli Ndini” në Vlorë, por ai ka qenë i dënuar për vrasje, por Drejtoria Arsimore e Vlorës nuk ka verifikuar dokumentacionin e tij dhe as i ka kërkuar që të sjellë dëshminë e penalitetit, duke mos e penguar atë që të jap mësim për 8 vite.
Rasti i tij u bë i njohur, pasi në një emision investigativ, ai u filmua duke luajtur me letra në klasë me nxënësit dhe i mësonte këto të fundit që të ofendonin drejtoreshën e shkollës. Mësuesi Eljus Thartori është dënuar me 10 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
