Banorët e zonës së Rinasit kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar kundër vendimit të dhënë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ta kthyer këtë aks rrugor me një sens lëvizjeje. Sot është shënuar edhe dita e katërt e kësaj proteste e cila pritet të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Sot asaj i’u bashkuan edhe banorë të tre fshatrave në këtë zonë, të cilët penalizohen nga ky vendim, duke i penguar të kryejnë aktivitet ditore dhe të nevojshme, si dërgimi i fëmijëve në shkollë, aksesimi i qendrës mjekësore, apo të shkuarit në tokat e tyre bujqësore.
Këtë të enjte, protestuesit u vendosën para shkollës dhe paralajmërojnë se do të zhvillojnë protestë edhe në orët e pasdites.
Ditën e djeshme, protesta e banorëve u zhvillua në afërsi të rrethrrotullimit pranë aeroportit “Nënë Tereza”. Sot kanë mbërritur edhe disa përfaqësues të Partisë Demokratike, ndërkohë që në ditët e mëhershme, e pranishme ka qenë deputetja demokrate e Fushë-Krujës, Andia Ulliri.

