Sokoli, djali i ish-diktatorit Enver Hoxha, në një rrëfim për emisionin “Rrugë pa rrugë”, ka zbuluar detaje mbi vilën 31, ku para viteve 1990 jetonte ai dhe familja.
Sipas Hoxhës, tuneli i shumëpërfolur ishte ndërtuar në rast nevoje, nëse shtëpia bombardohej ose binte tërmet.
Kur keni shkelur për herë të fundit në vilën 31?
Sokol Hoxha: Për herë të fundit ka qenë dita kur ikëm dhe që atëherë nuk kam shkelur më.
Nuk do të shkosh për arsye personale?
Sokol Hoxha: Jo, nuk dua më të futem. Ka qenë dita që kemi dalë, pasi ra busti, një ditë më vonë. Nëse busti ishte më 20, më 21 kam ikur.
Duken planet e dronit të shtëpisë së kapur nga sipër…
Sokol Hoxha: Ne jetonim në pjesën që shikonte nga perëndimi.
Po këto oborret kanë qenë të aksesueshme, dilnit në oborret e vilës?
Sokol Hoxha: Nuk i shfrytëzonim. Ne si familjarë mund të dilnim, por nuk kishim pse. As vetë babai nuk bënte shëtitje këtu, shëtitjen e bënte nga rrugët. Aty ku janë ndërtuar ato pallatet e mëdha, kanë qenë lulishte.
A ka pasur shtëpia një sistem strehimi? Dëgjohet shpesh të flitet për një strehim që mesa kam dëgjuar, ky sistem të lidhte me ndërtesat e tjera qeveritare e të çonte diku tjetër…
Sokol Hoxha: Jo, e vetmja në kuzhinë poshtë ishte një derë që komunikonte me një korridor. Pas atij korridori zmadhohej me një dhomë, kishte një telefon me sa mbaj mend, pastaj vazhdonte me një korridor dhe dilje në këtë dalje (tregon me duar daljen nga tuneli).
Pra, është për sistem sigurie?
Sokol Hoxha: Po, është për sistem sigurie dhe e kishin të gjitha institucionet në atë kohë, çdo ministri dhe kryeministria. Përdorej vetëm nëse ndërtesa do binte nga tërmeti apo kishte ndonjë bombardim, që të evakuohej familja ose nënpunësit. Ka qenë në çdo institucion. Por jo që ato të lidhnin me vilën e Mehmet Shehut
Kjo vilë sot i takon shtetit shqiptar?
Sokol Hoxha: Po, por edhe atëherë e shtetit ishte. Me sa di unë, babai me Nexhmien nuk na e kanë përmendur asnjëherë, por unë e di nga njerëz që kishin lidhje pas luftës… Një jurist që ka qenë me lëvizjen i propozoi babait për shtëpinë e vjetër: a ta kthejmë në emrin tënd? Sepse ajo ka qenë e një investitori italian që merrej me shkrirjen e pllakave të pusetave e deri vonë kanë qenë të shkruara. Ai kishte ardhur në kohën e fashizmit dhe pasi iku Italia, edhe ai iku, e nuk e kishte kërkuar më. Babait i propozuan që atëherë a ta kthejmë në emrin tonë, jo tha, ajo është shtëpi e shtetit dhe neve na e përmendte gjithmonë që ishte shtëpi e shtetit. Nuk e kam ndjerë asnjëherë kur ika që lashë diçka nga prona ime.
Kur jeni vendosur në vilën 31?
Sokol Hoxha: Në shtëpinë e re jemi vendosur në vitin ’74, kur u martova.
Sa kohë zgjati ndërtimi i vilës?
Sokol Hoxha: Dy vite e gjysmë.
Kur hyra në shtëpi, më dha një simpati për stilin e kohës vura re që shtëpia ishte e ndarë me disa sisteme fizarmonike.
Sokol Hoxha: Kjo është bërë për të krijuar ambiente të gjera për evente të ndryshme. Do gjesh fizarmonikë nga dhoma e madhe që përdorej për evente, për ditëlindje, kur vinin njerëz nga populli apo Byroja Politike. Edhe dhoma e bukës, me dhomën e ndenjes, kishte sistem fizarmonikë.
