Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual të Durrësit Agron Tare ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, duke thënë se do të vijojë rrugëtimin e tij profesional.
Agron Tare ka dhënë dorëheqjen vetëm nëntë muaj nga emërimi i tij. Më 23 janar të këtij viti ai zëvendësoi parardhësin e tij Afrim Bakaj që u shkarkua nga ministrja e sapo ardhur në detyrë në atë kohë, Belinda Balluku.
Tare më herët mbante detyrën e konsullit të përgjithshëm në Stamboll, ku qëndroi për pesë vite. Karriera e tij profesionale nisi në vitet 2000 si zyrtar i Departamentit në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në ministrinë e jashtme, për të vijuar më pas po në këtë ministri si drejtor i zyrës së minoriteteve dhe këshilltar i jashtëm i bashkisë së Tiranës.
2002-2006 ai ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE.
