Arritja në finalet e Europianit për herë të dytë është me meritë pas një pune të shkëlqyer të stafit teknik dhe futbollistëve. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha në një intervistë për “Sportitalia” se kjo është një garanci se Shqipëria do të japë maksimumin në Euro 2024 dhe do të përpiqet të kalojë grupin.
“Nëse shkon në finalet e një turneu të madh është normale që të ndeshesh me më të fortët. Por unë besoj se ne kemi një skuadër të mirë, kemi shumë cilësi dhe i kemi mundësitë për të tentuar kalimin e grupit. Në futboll surprizat janë të zakonshme tashmë dhe nuk do të ishte çudi nëse Shqipëria kalon grupin. Uroj të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, të jenë në formë të mirë dhe të mos kemi dëmtime”.
Një armë plus për Kombëtares sipas Dukës do të jetë tifozëria, ashtu si 8 vite më parë në Francë.
“Një gjë është e sigurt: lojtarët do të jenë të karikuar në maksimum për të bërë mirë në këtë turne. Do të kemi dhe mbështetjen e pakursyer të tifozëve tanë fantastikë, të cilët do t’i veshin stadiumet me ngjyrat kuqezi dhe do ta motivojnë shumë Kombëtaren në fushë, ashtu siç bënë edhe në Euro 2016”.
Armand Duka vlerësoi edhe kuqezinjtë të cilët aktivizohen në Itali, si Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti apo Marash Kumbullën.
Të 51 ndeshjet e Euro 2024 do t’i ndiqi pa pagesë dhe eksluzivisht në Tv Klan për territorin e Shqipërisë, ku natyrisht do të kulmojë me ndeshjet e Kombëtares ndaj Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.