Humbja e fundit ndaj Lituanisë duket se ka shkaktuar krisje në ambientin kuqezi dhe kjo shihet qartësisht nga fjalët e presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ai ka kritikuar një nga ata lojtarë të cilët ka mbrojtur gjithmonë e për të cilin ka insistuar prej kohësh që të jetë kapiteni i kuqezinjve, Elseid Hysajn.
Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Lituanisë dhe Duka nuk e ka kapërdirë faktin se ai nuk e evitoi dot një gjë të tillë, duke lënë ekipin me 10 lojtarë në moment vështirësie. Ndaj në intervistën e sotme në Radio Kiss Kiss, presidenti i FSHF i ka “tërhequr veshin” Hysajt.
“Ka luajtur shumë mire dy ndeshjet e para në kampionat. Më vjen keq që në kombëtare nuk luan kaq mirë sa te Napoli. Ne presim shumë më tepër prej tij”, deklaroi ai, duke u ndalur më pas te ngjarja më e bujshme e fundjavës që kaloi, ndeshja që nuk u luajt mes Juventusit dhe Napolit.
“Ne këmi përshtatur protokollin e UEFA-s , i cili thotë qartësisht se nëse një skuadër ka 13 lojtarë negativë ndaj koronavirusit, mund dhe duhet të zhvillojë ndeshjen, përndryshe ajo shtyhet. Por vetëm nëse nuk janë 13 lojtarë të gatshëm. Napoli, nëse do të ketë 2 lojtarë pozitivë gjatë Ligës së Europës, duhet të niset për në Spnajë për të luajtur me Real Sociedad, pavarësisht mendimit të autoriteteve shëndetësore. Edhe të shtunën duhej të kishte luajtur kundër Juventusit dhe respektuar rregulloren. Për të mirën e futbollit, ndeshjet duhen luajtur, përndryshe humbet 3-0 në tavolinë”, tha Duka.
