Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore.
Në fjalën e tij, kreu i futbollit u shpreh se viti 2025, ka qenë në nivelin me periudhat më të suksesshme të FSHF-së.
Ndër të tjera, Duka vuri theksin te Ligji i Spornsorizimit, duke kërkuar miratimin e tij nga qeveria, si nevojë jetike.
Sipas tij, futbolli shqiptar po rritet çdo ditë, falë punës së bërë nga presidentët e klubeve, të cilët i falënderoi për kontributin e dhënë.
“Asambleja është vendi ku reflektojmë me përgjegjësi, ku bëjmë bilancet, për të gjitha veprimtaritë tona. Ajo që na bashkon, është pasioni dhe dashuria për futbollin. Për ta zhvilluar atë dhe për ta afruar te njerëzit, nuk mjafton as dëshira, por ndonjëherë as puna.
Vetëm kur jemi të bashkuar, solidar dhe të përkushtuar në të njëjtin drejtim, energjitë tona kthehen në zhvillim konkret. Këtu qëndron forca jonë. Ne jemi pjesë e një loje, që në themelin e saj ka respektin. Futbolli është pasion dhe emocion. Reagimet pas një ndeshje futbolli janë normale. Por mendimi ndryshe dhe as deklaratat e nxituara apo emocionale, nuk kanë cenuar themelet tona institucionale. Themelet nuk janë të brishta. Ato janë ndërtuar mbi përgjegjësi, transparencë dhe vizion për zhvillimin afatgjatë të futbollit.
Efikasiteti i FSHF në vitin 2025, ka qenë në të njëjtin nivel, me periudhat më të suksesshme të saj. Stabilitet financiar, investime të qëndrueshme, zhvillimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i futbollit në çdo nivel, janë rezultate.
Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm, sot janë shumë në numër, si në nivel kombëtar dhe atë rajonal.
Futbolli merr kuptim, vetëm kur tribunat janë të gjalla dhe klubet bëjnë një lidhje me tifozët. Në një sistem me kaq shumë aktivitete, ka mendime ndryshe dhe debate, për formatet, për arbitrimin dhe jo vetëm. Megjithatë, këto nuk duhet të na largojnë nga fokusi kryesor, pasioni për futboll. Rezultati nuk duhet të na ndajë më shumë se 90 minuta. Pas kësaj, të gjithë mbetemi të gjithë pjesë e kësaj familje.
Të gjithë duam të fitojmë dhe të dalim kampionë. Në një ndeshje fiton vetëm një skuadër. I zhvillojmë këto gara në një realitet jo të lehtë, me infrastrukturë ende jo të plotë, me burime financiare të kufizuara dhe me ekonomi që ka sfidat e saj. Falë përkushtimit tuaj drejtues të klubeve, futbolli shqiptar jo vetëm që mbahet në këmbë, por rritet nga dita në ditë.
Dua të riktheksoj edhe njëherë, një çështje thelbësore, nevojën jetike për miratimin e Ligjit të Sponsorizimit. Ky ligj nuk është privilegj, por është një instrument zhvillimi, formalizon marrëdhënien financiare, rrit konkurrencën. Miratimi i tij, do të ishte një hap strategjik, për t’i dhënë sportit një bazë më të qëndrueshme financiare. Ne kemi punuar intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës”, deklaroi Duka.
