Ditën e sotme, Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një shtetas 45-vjeçar, i cili po tentonte të vidhte një banesë. Ngjarja në fjalë raportohet të ketë ndodhur në fshatin Rrashbull.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale D. K., 45 vjeç. Ky person është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit L. Ll., shumën e parave 23.000 lekë të rinj.
Njoftimi i policisë:
“Shërbimet e Policisë vijojnë punën për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale.
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë u parandalua vjedhja e një shume parash, në një banesë, në Rrashbull, Durrës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Postën e Policisë Manzë u arrestua në flagrancë shtetasi D. K., 45 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës, pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit L. Ll., shumën e parave 23.000 lekë të rinj, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”
