Elseid Hysaj në dy sezonet e fundit ka pasur një paraqitje tërësisht ndryshe, ku vjet ishin të gjitha skuadrat të interesuara për të pasi po shkëlqente me Napolin, ndërkohë që këtë sezon op e provon shpesh herë shijen e stolit. Mbrojtësi shkodran nuk po arrin të bindë Karlo Ançelotin i cili e ka provuar në dy krahët e mbrojtjes.
Me shumë gjasa në merkaton e verës ai do të largohet dhe duket se kjo nuk ka kthim mbrapa. Mbrojtësi shkodran është në radarët e Interit dhe të shumë skuadrave të tjera dhe pritet që të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Mediat në Itali raportojnë se largimi nga Napoli është i pashmangshëm dhe jo vetëm për faj të Malkuit që i ka zënë vendin në të majtë.
Ato raportojnë se edhe kur i është besuar krahu i djathtë, Hysaj nuk ka arritur të bindë dhe shpesh herë Maksimoviç ka qenë më lart. Ky i fundit nuk është i ndonjë cilësie të jashtëzakonshme dhe fakti që Hysajn e lë n ë stol, do të thotë se e ka të vështirë të bëjë mirë me sistemin e lojës së Ançelotit.
