E ardhmja e Mauro Ikardit duket se është e destinuar të vazhdojë në Itali, por jo më te Interi. Sulmuesi argjentinas nuk po kalon një moment të mirë dhe këtë sezon është përballur me probleme të shumta me klubin, kështu që ka vendosur të largohet. Me shumë gjasa, ai do të luajë për Juventusin sezonin tjetër dhe tashmë kjo nuk është vetëm një hipotezë.
Mediat italiane raportojnë se në Londër do të ketë një takim mes Piero Ausilios dhe Fabio Paratiçit ku do të diskutohet në lidhje me të ardhmen e sulmuesit Ikardi. Zikaltër kërkojnë të paktën 80 milionë euro për shërbimet e tij, ndërkohë që Juventusi është i bindur se ai nuk kushton më shumë se 60 milionë euro.
Sakaq, është hedhur poshtë teoria për një shkëmbim të mundshëm me Paolo Dibalën i cili është i destinuar të largohet nga bardhezinjtë por mesa duket jo te Interi. Bardhezinjtë synojnë që ta shesin Dibalën për të paktën 100 milionë euro dhe duke e krahasuar këtë shifër me vlerën e Ikardit, duket një mision i pamundur. Ditët në vijim, pritet që të ketë të tjera zhvillime ndërkohë që edhe Miralem Pjaniç mund të largohet nga Torinoja.
