Qyteti i Vlorës u trondit pasditen e të dielës teksa u raportua se u gjet i vrarë me armë zjarri një 65-vjeçar.
Trupi i tij u gjet nga policia në një zonë të pyllëzuar ndërsa mësohet se viktima Ylli Luçaj punonte si roje në rrugën e re që lidh fshatin Kuç me Himarën.
Fillimisht u dyshua për vetëvrasje por pas këqyrjes së trupit të viktimës rezultoi se ishte një vrasje. Ende nuk dihen autorët dhe rrethanat janë të paqarta, teksa policia po bën krehjen e zonës.
“Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku paraprakisht dyshohet se shtetasi Y.L., në rrethana ende të paqarta, ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Shërbimet e Policisë po krehin zonës si dhe po vijon shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës, lidhur me vrasjen e 65- vjeçarit, Ylli Luçaj.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, Policia e qytetit bregdetar po heton në dy pista, që dyshohet se mund të jenë shkak i ngjarjes. Njëra pistë lidhet me ndërtimin e rrugës së re Kuç-Himarë, ndërsa pista tjerë është ajo e ndonjë konflikti që viktima mund të ketë pasur gjatë ditëve të fundit.