Kombëtarja shqiptare nuk arriti të bënte inaugurimin e stadiumit me një rezultat pozitiv duke u mundur nga Franca me rezultatin 0-2 dhe dëshpërimi në kampin kuqezi, natyrisht ishte i madh. Tifozeria kishte mbushur shkallët e stadiumit për të mbështetur ekipin Kombëtar, teksa u shpalos edhe një koreografi gjigande me shqiponjë.
Duke parë atmosferën në stadium, futbollistët kishin një motivim më të madh për të fituar këtë ndeshje por pa arritur ta marrin. Në përfundim të ndeshjes, ajo që spikati më shumë ishte natyrisht takimi i trajnerit Edi Reja me të gjithë futbollistët një nga një. Tekniku kuqezi hyri në fushë dhe nisi të takonte futbollistët.
Me shumë prej tyre, ai nisi të fliste edhe në aspektin taktik duke i shpjeguar se çfarë duhej bërë ndryshe ndërkohë që edhe futbollistëve iu kërkoi që të mos mërziteshin dhe të linin pas këtë ndeshe. Sjellja e Edi Rejës në fushë me futbollistët ishte një sjellje e ngjashme me atë që bën trajneri Guardiola pas çdo ndeshjeje.