Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të lagjes “Partizani” në Elbasan.
Gjiknuri dhe Llatja prezantuan investimet e rëndësishme të realizuara deri më tani dhe projektet strategjike për 4 vitet e ardhshme.
Drejtuesi Politik i PS-së Damian Gjiknuri, teksa vlerësoi punën e kryebashkiakut Llatja në krye të Bashkisë si një administrator të shkëlqyer, siguroi për mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e mëtejshëm të Elbasanit.
“Ne konfirmuam përsëri Gledin si kryetar bashkie, pasi besojmë tek ai se ka bërë punë të mira, ka një vizion për të vijuar edhe më tej, dhe ne si Qeveri do të vazhdojmë ta mbështesim Elbasanin me çdo gjë. Gledi në krye të punëve të bashkisë do t’i çojë përpara projektet zhvillimore të Elbasanit për ta ndryshuar qytetin”, deklaroi Gjiknuri.
Gjiknuri tha se pikërisht ky ekip, i cili punon bashkë për të ardhmen e qytetit, është garancia që u duhet qytetarëve.
“Ne kemi një ekip, që është ekip deputetësh, ekipi i PS, ekipi i Këshillit Bashkiak dhe patjetër kemi mbështetje Qeverinë Shqiptare për t’i çuar punët përpara. Votimi dhe mbështetja për Gledin është edhe një ftesë për qeverinë e Edi Ramës dhe për ne si mazhorancë që të vazhdojmë punët e nisura”, nënvizoi ai.
Numri dy i socialistëve kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit. Gjiknuri deklaroi se ajo që ofroj opozita është një alternativë humbëse.
“Përballë kemi një alternativë të stërkonsumuar. Kandidati përballë ka qenë kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, ka qenë pushtetar, ka kandiduar më parë, ka humbur zgjedhjet përballë Qazim Sejdinit. Tani thotë kam vizion.
Çfarë vizioni ka? Çfarë përfaqëson? Vizioni i tij është eksportimi i revolucionit të foltores nga Tirana në Elbasan. Do ta kthejnë Elbasanin në bunker politik për Sali Berishën, apo kjo martesa e re që kanë zënë me Ilir Metën tani?
Shikoni listën e Këshillit Bashkiak, shumica janë Partia e Lirisë dhe ka disa të ish-Partisë Demokratike. Dhe ky do të përfaqësojë Elbasanin?!
Elbasani nuk ka kohë të humbë. Ne nuk kemi nevojë për eksportet e revolucionit berishjano-metist”, shtoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Gledian Llatja e konsideroi nder dhe privilegj besimin që i është dhënë për një tjetër mandat në shërbim të qytetarëve të tij. Llatja po ashtu u shpreh krenar për listën fituese për Këshill Bashkiak, të cilën e cilësoi një listë të vlerave dhe qytetarisë.
“Para 4 vitesh jemi përballur me sfida, por kishim dhe kemi vizionin dhe i kemi dhënë një impuls të ri zhvillimit të infrastrukturës në qytet. Më herët ishte investuar në bulevard, në qendër të qytetit dhe rrugët lidhëse, ndërsa këtë mandat jemi fokusuar te zonat e brendshme.
Fokusi ynë kanë qenë zonat informale, sheshet e pallateve dhe lagjet e vjetra të Elbasanit.
Po vazhdojmë me kopshtet, me shkollat dhe infrastrukturën arsimore në tërësi.
Qeveria po investon në by pass-in e Elbasanit, në koridorin 8 dhe çdo ditë ne prekim punën që po bëhet atje”, u shpreh kreu i Bashkisë Elbasan.
Në takimin e zhvilluar në lagjen “Partizani” ishin të pranishëm deputetë të PS-së Evis Kushi, Klevis Xhoxhi, Florenc Spaho etj, si dhe anëtarë të këshillit bashkiak.