Gjatë pranisë së tij në Komisionin e Sigurisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është pyetur në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit në Fier dhe grabitjen e një tjetri në Nikël të Fushë-Krujës.
Çuçi ka zgjedhur që të mos përgjigjet, duke thënë se pyetjet që i ishin bërë nuk kishin lidhje me projektligjin për agjencinë e mbikqyrjes policore.
Debatet në Komision:
Xhaferraj: Dy ngjarje të rënda në Fier e Fushë Krujë, familjarët u shprehën se s‘kanë besim te Policia. Drejtori i Policisë e ka filluar shumë keq, rrokadë qarkullimi drejtuesve të policisë. Ata ndëshkohen, promovohet apo shkarkohet për punë të dobët. “Vaji i kandilit“ tregon përçmim, përbuzje, arrogancë për çdo punonjës policie. Kërkoni ndjesë.
Çuçi: Nuk kam koment, pasi nuk ka lidhje me projektligjin.
Baçi: Është vrarë një biznesmen, shërbimi policor nuk ka reaguar, madje në Fier flitet se ata janë fshehur teksa ishin prezent në një krim makabër. Është hetuar nga SHÇBA dhe cilat janë hetimet?
Salianji: Mospërgjigjia ndaj shqetësimeve të deputetëve tregon se Çuçi nuk e ka nën kontroll ministrinë. Është papërgjegjshmëri, pasi s’ka pasur asnjë qëndrim nga ministri apo Policia e Shtetit për ngjarje të tilla. Ka frikë ti përgjigjet shqetësimeve të opozitës.
