Serxhio Porrini, krahu i djathtë i Edi Rejas në stolin e përfaqësueses shqiptare, është ai i cili i ka qëndruar më afër sulmuesit të ri të kuqezinjve, Florian Kamberi. Porrini ka qenë ai që ka kontaktuar me futbollistin dhe e ka bindur të bëhet pjesë e kuqezinjve duke i dhënë lamtumirën përfundimisht Zvicrës.
Në një intervistë për mediat skoceze, ish-futbollisti i Juventusit ka treguar si bindi lojtarin dhe se si të gjithë në stafin e përfaqësueses ishin të bindur se ai ka potencial ët madh dhe do të bëjë shumë mirë me fanellën kuqezi.
Ideja i erdhi në fillim trajnerit tonë, Edi Reja, ai është personi që i merr të gjitha vendimet. Por të gjithë e shihnim potencialin e tij për t’u paraqitur mirë me ne. Meqë kam qenë me Rejnxhërs për katër vite (1997-2011), unë mund të flas anglisht ndaj më takoi mua që të kontaktoja me të. Si rrjedhojë, unë u takova me Florianin disa herë që të flisja me të rreth kësaj ideje dhe gjithashtu me babanë dhe avokatin e tij. Ai u shfaq shumë i interesuar menjëherë për propozimin dhe kur u bë e qartë se sa shumë dëshironte që ta realizonte, nuk kishte më dyshime. Aktivizimi i tij është vonuar për shkak të burokracive dhe një dëmtimi të lehtë, por ne jemi besimplotë se ai do të ketë një impakt të madh për vendin tonë në të ardhmen”, deklaroi Porrini.
Kamberi kohët e fundit është bërë protagonist me kalimin e tij në formë huazimi nga Hibernian te Rejnxhërs, por edhe me deklaratat se po shkonte në klubin që kishte pasur gjithmonë si objektiv. Porrini mbron futbollistin dhe është i bindur se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e gjigantëve skocezë edhe pas verës.
“Nuk besoj se Floriani po tregonte mungesë respekti ndaj mbështetësve të Hibernian me atë që tha. Ai është një profesionist serioz dhe në futboll, ashtu si në çdo fushë të jetës, është normale të kesh ambicie dhe ëndrra. Ai dëshiron të përmirësohet si lojtar dhe Rejnxhërs muns ta ndihmojë ta bëjë një gjë të tillë. Ai është një nga klubet më të famshëm në botë dhe si i tillë është në gjendje që të ngjitë futbollistët një nivel më lart. Arsyeja pse ata rekrutuan Florianin është sepse ata mund të kenë parë diçka te ai, që i bën të mendojnë se mund të arrijë atë standard. Por nëse gjërat nuk shkojnë mirë për të atje, dhe atij do t’i duhet të kthehet te Hibernian në fund të huazimit, atëherë jam i sigurt se do të japë gjithçka për fanellën. Mendimi im është se ai do të bëjë mirë sa duhet që t’i fitojë vetes shansin për të qëndruar te Rejnxhërs, pasi ai ka shumë talent”, deklaroi ish-futbollisti italian i cili në të kaluarën ka veshur vetë fanellën e kësaj skuadre.