Amerika Latine është kthyer tashmë në një prej vatrave më të nxehta të COVID-19 ku shteti më i prekur rezulton Brazili e më pas Argjentina, Meksika etj. Në një shkrim të tij Washington Post shkruante se vendi i vogël Uruguaj e ka përballuar më së miri pandeminë duke shmangur më të keqen, duke qenë i vetmi vend latin prej të cilëve pranon vizitorë Europa.
Por si po e përballojnë uruguaianët situatën? Tirananews.al kontaktoi me Katerina Petro Arias, shqiptarja e cila prej vitesh jeton në Carmelo të Uruguait ku ka krijuar familjen e saj.
Në këtë situatë pandemie të krijuar në të gjithë botën shqiptarët e Amerikës Latine përpiqen të krijojnë kontakte me njëri-tjetrin, teksa ambasada e vetme shqiptare atje është ajo e Brazilit, vendit më të prekur në këtë kontintent. Katerina thotë se në Uruguai nuk ka shumë shqiptarë.

“Personalisht jam në kontakt me një tjetër shqiptare e cila ka pak kohë që ka erdhur. Në Amerikën Latine ka vetëm një Ambasadë Shqiptare dhe ambasador është Z.Rezar Bregu, i cili gjithmonë na ndihmon dhe na undhëzon kur bëhet fjalë për dokumentat. I vetmi problem është se ambasada është shumë larg është në Brazilia, kështu që të gjithë procedurat duhet t’i bëjmë nëpërmjet postës”, thotë ajo.
Por pse Uruguai po e përballon më së miri situatën e krijuar nga koronavirusi se sa vendet e tjera të rajonit, kujtojmë se atje stina e dimrit përkon pikërisht me muajt korrik-gusht.
“Në Uruguai rastet e para me COVID-19 u shfaqën me 13 Mars, kur një dizenjatore e kthyer nga Italia dhe me Coronavirus shkoi në një dasëm ku kishte 500 të ftuar dhe infektoi shumicën. Që atë ditë shteti mbylli shkollat dhe të gjitha bizneset që përbënin kërcënim për shpërndarjen e virusit. Gjithashtu të gjitha eventet publike përfshi këtu, evente sportive , fetare dhe politike. U mbyllën të gjithë kufijtë dhe fluturimet me përjashtim të fluturimeve për ri-atdhesim. Uruguai është një nga vendet me një nga përqindjet më të vogla të shpërndarjes së virusit vetëm 2.77%. Nga periudha Mars-Gusht ka patur 1335 raste nga të cilat vetëm 186 janë aktive dhe 37 vdekje. Edhe pse masat që mori Uruguai janë të njëjtat si në shumë shtete të tjera ajo që ishte ndoshta faktor kryesor në parandalimin e shpërndarjes së virusit ishte ndërgjegjësimi nga ana e qytetarëve dhe fakti që Uruguai ka një popullsi të vogël nëse e krahasojmë me territorin. Këtë të fundit e vërteton dhe fakti se qytetet e mëdha kishin më shumë raste se provincat. Edhe pse shkollat u hapën nën normativa të reja duke mos patur me shume se 10-15 nxënës në klasë, bizneset u hapën dhe se fundmi nisën dhe eventet sportive (pa spektatorë) kjo nuk do të thotë se masat e sigurisë u hoqën. Edhe pse Uruguaji nuk bëri kurrë karantinë, presidenti dhe populli janë të ndërgjegjshëm se nëse nuk mbajnë këto masa mund të ketë një shpërthim të dytë të pandemisë”,vijon Katerina.
Një leksion nga përtej oqeanit, në Uruguain e largët për të qenë vigjilentë e të ndërgjegjshëm për të respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit e sa e rëndësishme është kjo, më shumë se çdo masë tjetër që mund të marrin autoritetet./ tirananews.al
