Do të ketë një bashkim të PD-së, në një kohë që përçarja u pa që i dëmtoi edhe më shumë në zgjedhjet lokale të 14 Majit? Deputeti Flamur Hoxha thotë se formula e bashkimit të grupimeve në PD mund të nisë me përcaktimin e një drejtimi kolegjial nga të dyja palët, por ai drejton gishtin edhe nga grupi i “Rithemelimit” nga të cilët kërkon të ngrenë zërin ndaj përgjegjësit për humbjen e 14 majit.
“Ashtu siç ngritëm ne zërin në 6 mars, ashtu duhet të ngrenë zërin edhe ata të kampit tjetër të lexojnë realitetin, PD s’ka nevojë për kryetar, por mund të jetë një drejtim kolegjal nga të dyja palët që të bashkojë bazën fillimisht, nuk pres të bashkohen të gjithë deputetë, por demokratët po”, u shpreh Hoxha.
Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti Lefter Gështenja, i cili kërkon edhe analizë për situatën ku ndodhet PD. “Të gjithë duhet të punojmë për bashkimin e demokratëve, ajo që kemi më shumë nevojë është një drjetim kolegjal të bëjmë një analizë, të flasin me njëri-tjetrin”, u shpreh Gështenja.
Të pyetur se si e shohin rikthimin e mundshëm të Lulzim Bashës për të drejtuar sërish PD, Hoxha dhe Gështenja vendosin theksin se demokratëve i duhet një lidership i ri. Në 5 qershor do të mblidhet grupi parlamentar demokrat, teksa një ditë më pas do të zhvillohet edhe takimi i kryesisë së PD.
