Dy muaj pas vdekjes tragjike të nëntetares Zarife Hasanaj dhe majorit Klodian Tanushi emrat e tyre janë përjetësuar në një memorial në bazën e NATO-s në Letoni.
Më 15 korrik, një memorial kushtuar atyre që kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të #eFP Letonisë, u zbulua përpara selisë së Grupit të Betejës. Monumenti përkujton Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi, dy anëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilët paguan me jetë sakrificën.
Lexo edhe- Kush janë dy efektivët e FA që humbën jetën në Letoni
“Ky gjest do t’i bëjë ata (familjet e Hasanaj dhe Tanushi) të ndihen më mirë duke e ditur se Klodiani dhe Zarife tani janë përgjithmonë pjesë e grupit të betejës eFP. Faleminderit miq. Faleminderit vëllezër”, është shprehur kapiteni Alfred Duraku, Përfaqësuesi i Shqipërisë.
Hasanaj dhe Tanushi ishin pjesë e grupit të kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në bazën e NATO-s në Letoni. Një incident më 6 maj ku shpërthue një minë i mori jetën nëntetares Zarife Hasanaj. Ndërsa majori Klodian Tanushi ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Tashmë ata janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.




