Në Vlorë, qytetarët kanë zhvilluar një protestë kundër qeverisë së Edi Ramës, ku kanë ironizuar me dështimin e “Air Albania” dhe parkimin në Stamboll të avionit që Edi Rama pagëzoi me emrin e poetit Lasgush Poradeci.
Protestuesit kanë shfaqur një “biletë” avioni vetëm nisje në datën 16 shkurt nga “Aeroporti i Vlorës” për Edi Ramën dhe destinacioni është “në të sëmës”. Protestuesit janë vendosur në zonën e Skelës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Ata bëjnë thirrje kundër qeverisë, si shkaktare e varfërisë, rritjes së çmimeve, falimentimit të biznesit dhe veçanërisht largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Ndërkohë, paralel me banorët e Vlorës, është duke u zhvilluar një protestë në Paskuqan ku është bllokuar rruga e vetme hyrëse në këtë njësi, në shenjë proteste për situatën e mjerë që po përjeton e gjithë Shqipëria.
Paskuqani është një nga njësitë vendore të bashkisë Kamëz, që drejtohet nga demokrati Xhelal Mziu. Dhe protesta vjen në kuadër të sinjaleve paralajmëruese nga opozita për tubimin e 16 shkurtit para Kryeministrisë, ku do të synojnë të rrëzojnë qeverinë dhe të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.