Zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama në një konferencë për mediat bëri të ditur vendimin e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai tha se kryetarja, Monika Kryemadhi dhe sekretari i përgjithshëm mandatohet të finalizojnë një marrëveshje bashkëpunimi me PD dhe gjithë Frontin Opozitar, për garantimin e zgjedhjeve të lira.
“Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar e qeverisë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mëdha që ka vendi, nga kriza e përgjithshme politike, kushtetuese, institucionale, parlamentare dhe e besimit. Natyrisht është vetëm një shenjë më shumë e krizës në të cilën gjendet vetë qeverisja e vendit, është një shenjë më shumë e dëshpërimit të saj, që vjen sa nga rezistenca, revolta dhe protesta qytetare aq edhe nga moria e një pas njëshme e skandaleve, të cilat me këtë qeveri janë të lidhur pazgjidhshmërisht”, tha Rama.
Ai i është përgjigjur edhe akuzave të Edi Ramës në Kuvend, ku sipas këtij të fundit opozita po kënaqet me vendimin e parlamentin holandez. “Dëgjova pak më parë kryetarin e qeverisë të flasë në Kuvend për të ashtu quajturën kënaqësi të opozitës në lidhje me votimin më të fundit të Parlamentit të Hollandës, i cili ka kërkuar rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Më parë se të akuzojë opozitën, dhe më parë sesa të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar, ky moment ka nevojë për reflektim. Ka nevojë për reflektim dhe për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit. Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër për veç se krim, korrupsion dhe shpërdorim. Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar.”, tha Luan Rama.