Një 36-vjeçar është kapur me një sasi prej 50 gr kokainë në Sarandë e sipas burimeve të “Panorama” bëhet fjalë për Shefqet Karabrahimi.
Në skenën politike 36-vjeçari ka garuar për këshilltar në bashkinë e Tiranës nën siglën e partisë së Reformave Demokratike Shqiptare, të Krenar Rryçit, partia e të cilit ishte koalicion me PS.
Nga kontrolli i imtësishëm i makinës dhe fizik që iu bë 36-vjeçarit, rezultoi se për të mos u zbuluar nga ndonjë kontroll i mundshëm gjatë rrugës, Karabrahimi e kishte fshehur kokainën në organet gjenitale. Kontrolli që çoi më pas në arrestimin e tij në kushtet e flagrancës, u bë rreth orës 23:30 të së shtunës.
Panorama vijon më tej me burimet e saj duke thënë se policia e Sarandës ka pasur informacion se udhëtimi i 36-vjeçarit do të bëhej për transport droge.
Sipas përllogaritjeve, vlera në treg e kësaj sasie droge do të shkonte në 400 mijë lekë të reja. Policia e Sarandës ende nuk ka informacion se kush ishte pritësi i kokainës.
“Nga shërbimet policore, seksioni i krimit të organizuar në Sarandë, është bërë arrestimi në flagrancë i 36-vjeçarit me inicialet Sh. K., lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, ku 36-vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij nga Tirana për në Sarandë. Nga kontrolli i imtësishëm i mjetit dhe i personit, i është gjetur një sasi prej 50 gramë kokainë, të cilën për të mos u zbuluar nga ndonjë kontroll i mundshëm gjatë rrugës, e kishte fshehur në organet gjenitale”, bëhet e ditur nga Policia.
