Xhenaro Gatuzo u prezantua pasditen e djeshme si trajneri i ri i Napolit, duke zënë në këtë mënyrë vendin e Karlo Ançelotit. Pa humbur kohë, ai ka zbritur skuadrën në fushë për stërvitjen e parë por duke ditur momentin e vështirë që Napoli po kalon, trajneri Gatuzo ka menduar më shumë për të diskutuar me futbollistët.
“Corriere dello Sport” raporton se Gatuzo ka provuar të motivojë futbollistët për ndeshjen e radhës si edhe për të ndihmuar futbollistët që të kalojnë këtë moment të vështirë psikologjik. Ndërkohë, në përfundim të kësaj seance ai ka kërkuar një tjetër takim por këtë radhë është takuar me senatorët e skuadrës.
Gatuzo ka pasur një diskutim kokë më kokë me Insinjen, Mertens, Kajehon, Kulibali, Manolas dhe Alan. Të gjithë futbollistët janë mbledhur së bashku në dhomat e zhveshjes dhe kanë diskutuar me trajnerin në lidhje me problemet që po hasin në stërvitje por edhe në marrëdhënien me presidentin e jo vetëm. Gatuzo synon që fillimisht të rikthejë frymën e grupit dhe më pas të mendojë për stërvitjen në prag të ndeshjes ndaj Parmës në shtëpi.