Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall sot “non grata” duke u futur në listën e zezë nga SHBA, së bashku me familjen. Por a është i apelueshëm ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit? Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Keida Kostreci u shpreh se një sanksion i tillë nuk mund të apelohet, pasi nuk është vendim gjykate.
“Po nuk është vendim gjykate kështu që nuk ka sesi të apelohet. Jo nuk e besoj se mund ta bësh, ose mund të përpiqesh ta bësh, mendoj unë, por për derisa është përfolur një gjë e tillë dhe përderisa merret në këtë moment të caktuar do të thotë që informacioni është mbledhur gjatë një kohe të gjatë. Kështu që megjithëse ne nuk i dimë burimet e SHBA-së, mendja ta do që një sekretar shteti i ka këto informacione të vërtetuara.
Nëse mund të kundërshtohen me të dhëna të tjera nga Berisha nuk e di nëse mund ta quaj apel, sigurisht që njerëzit kur janë vendosur në lista të tilla e kanë kundërshtuar, por nuk do të thosha që kjo do të ishte një çështje e apelueshme ose që mund të ndryshonte nesër, pasnesër, nuk është se e kam atë informacion të plotë, por meqë nuk është çështje gjykate nuk besoj që apelimi është diçka që mund të bëhet në këtë moment të caktuar” tha gazetarja te “Opinion”.
