Në një intervistë të dhënë për “L’Équipe”, Xhenaro Gatuzo tregon detaje të rëndësishme nga karriera e tij si lojtar, por gjithashtu tregon edhe teknikët, të cilët e inspirojnë për të bërë detyrën e trajnerit.
Mes tyre është Josep Guardiola. Në intervistë trajneri alktual i Olimpikut të Marsejës tha se nuk i pëlqente të kërkonte favore dhe se për të takuar idhullin e tij ka pritur tri ditë në hyrjen kryesore të klubit të Bajernit të Mynihut gjatë kohës kur Guardiola stërviste klubin bavarez. “Kam qëndruar gati tri ditë në hyrje të qendrës stërvitore të Bajernit të Mynihut pasi doja që të takoja Guardiolën. Nuk më pëlqen të kërkoj favore. Ai na njohu sapo kaloi. Gati sa nuk vdiqëm së ftohti unë dhe Xhixhi (ndihmësi)”, tha Gatuzo. Mes të tjerash italiani tregoi edhe çfarë kishte kaluar kur ishte përballur në fushë më “stilin Barça”. “Isha diku 27 apo 28 vjeç dhe nisëm të përballeshim me Barcelonën e Ronaldinjos, Mesit, Ksavit, dhe Iniestës. Në atë sezon në Champions kundër Barcelonës kam bërë dy maratona në të dy ndeshjet, por topin e kam prekur tri katër herë. Nuk e kuptonim se çfarë ndodhte në fushë. Prej atyre ndeshjeve nisa të interesohesha më shumë për futbollin dhe të studioja më tepër”, tha Gatuzo duke iu referuar takimeve kundër Barcelonës së Rijkardit.
